Conte: Të gjithë duan të na mundin

Futboll

Conte: Të gjithë duan të na mundin

Më: 27 dhjetor 2016 Në ora: 18:00
Conte

Chelsea po e tregon fuqinë në Premier League.  Të kaltrit kanë arritur 12 fitore rresht dhe janë në krye të renditjes me 46 pikë, duke qenë ndër kandidatët kryesor për titullin e kampionit. Për 18 ndeshje Chelsea ka 15 fitore, 1 barazime e 2 humbje, me goldallim 38:11 ose mbrojtën më të fortë deri më tash në ligë.  Trajneri i Chelseat, Antonio Conte, e shkroi me shkronja të arta emrin e tij në historinë e  kësaj skuadre. 12 fitore radhazi në Premier League nuk i kishin arritur asnjëherë më parë. “Të fitosh 12 ndeshje radhazi në këtë kampionat nuk është e lehtë. Është një seri fantastike rezultatesh, por është e rëndësishme që ta vazhdojmë. Pas katër ditësh na pret një tjetër ndeshje e fortë dhe duhet ta përgatisim mirë, sepse tani të gjithë duan të na mundin”, ka thënë Conte. Të hënën që e lamë pas Chelsea triumfoi me rezultat 3:0 ndaj Bournemouth-it.

“Luajtëm një ndeshje të mirë. Mund të kishim shënuar më shumë, por unë jam i kënaqur nga sjellja e lojtarëve. Luajtëm pa dy futbollistë të rëndësishëm (Diego Costa dhe N’Golo Kante ishin të pezulluar), por unë mendoj se luajtëm mirë”, tha ai. “Kjo është hera e parë që luajtëm pa një sulmues të deklaruar përpara. E kishim provuar këtë në stërvitje dhe mendoj se ishte momenti ideal për ta aplikuar. Por unë nuk e harroj Michy Batshuayi, sepse ai është një lojtar i ri, me talent të madh. Ai po përshtatet në këtë kampionat. Kështu është futbolli. Në të ardhmen do t’i besoj pa dyshim”, thotë Conte. Trajneri i të kaltërve është shprehur se nuk është aspak i zënë në befasi nga forma e mirë që Eden Hazard ka treguar deri tani këtë sezon te Chelsea. Belgu vitin e kaluar zhvilloi një sezon të dobët pikërisht një vit pasi ishte shpallur “Lojtari i vitit” në Premier League, por tashmë ai është rikthyer në versionin e tij më të mirë. Conte lavdëroi yllin e skuadrës së tij, i cili deri tani ka shënuar nëntë gola dhe ka dhënë një asistim. “Unë e njihja Edenin thjesht si kundërshtar me kombëtaren dhe sigurisht që e kam parë shumë në televizion. Nuk jam i befasuar prej tij, sepse ai ka shumë talent. Por gjëja më e rëndësishme është se ai po e shfaq talentin e tij në skuadër. Është fantastike për mua të shoh se çfarë pune fantastike bën ai me ose pa topin”, ka thënë Conte. Chelsea në fundjavë përkatësisht me 31 dhjetor ndeshet me Stoke Cityn.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat