Duka: Situata e Kaçes është e vërtetë, mund të largohet

Futboll

Duka: Situata e Kaçes është e vërtetë, mund të largohet

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 18:55
Armand Duka

Në intervistën e dhënë për emisionin “Natë me Xhaxhiun” në “News 24”, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka folur edhe për situatën e Ergys Kaçes në komëbtaren shqiptare, duke pranuar se lajmi i publikuar nga “Panorama Sport” është i vërtetë dhe mesfushori mund të largohet nga ekipi përfaqësues.

Rasti “Kaçe”. Është thënë në media që ka pasur konflikt me trajnerin. Përse nuk e preferon De Biazi?

 

 

Ka diçka të vërtetë. Nuk është gjithçka e pavërtetë në atë që është raportuar. Media, ndoshta edhe për faktin që ka pak aktivitete, lajmin e nxjerr vetëm nëpërmjet këtyre futbollistëve. Megjithatë, është e vërtetë. Nuk besoj se ka një futbollist në botë, nuk ka asnjë sipas meje që të presë me kënaqësi atë vendim të trajnerit për të qëndruar në tribunë. Sidomos në Kombëtare, ku futbollisti vjen për të luajtur dhe për të treguar talentin.

Një nga këto është edhe Kaçe, që është talent i madh. Ia kam thënë Ergysit edhe De Biazit. Gjithsesi, trajnerë të ndryshëm, duan lojtarë të ndryshëm. De Biazi nuk e ka preferuar shumë atë lojtar, por nuk mund të them që ka pasur konflikt. Trajneri e ka thirrur për ta sqaruar teknikisht pse duhet të ishte në tribunë. Ai është lojtar shumë i mirë. Një kualitet shumë i mirë dhe jam i bindur që do ta ndihmojë Kombëtaren në të ardhmen.

Historia e humbjes me Luksemburgun në tavolinë 0-3, sërish për Kaçen…

Po, është gabimi i njerëzve në FSHF që merren me atë punë. Është e pafalshme! Unë nuk e kam ditur, por ata që merren, duhet ta kishin konstatuar. Janë marrë përgjegjësi së brendshmi në institucion. Administrata e FSHF-së duhet të ishte e kujdesshme dhe të mos ndodhte. Gabim!

Kjo tregon edhe një lloj mungese serioziteti…

Gabimet ndodhin, por dënimet nuk janë gjithmonë me vdekje.

Ju e pranuat nën zë rastin “Kaçe” për atë që kish shkruar “Panorama Sport” dhe që u desh ndërhyrja juaj…

Është e vërtetë ajo që thashë unë, por jo vendimi për t’u larguar. Ai edhe mund të ikë.

E lexoni shtypin sportiv?

E lexoj. Është gjëja e parë kur shkoj në zyrë. Kam kafen dhe gazetat. Lexoj titujt dhe ato artikuj që më tërheqin.

Jeni fans i ndonjërit organ?

Nuk kam simpati për mediat. Por, janë e keqe e domosdoshme.

I thoni ndonjë gazetari “i dashur armik”?

Të jesh drejtues i një institucioni publik, patjetër që do të kesh vërejtje, kritika, sharje. Megjithatë, nuk mbaj qëndrim.

Kosta Grillo. Keni një definicion për të?

E ndjek, sepse ka kohë që i komenton ndeshjet e Kombëtares, ndër të tjera. Është komentator i mirë, por është shumë i shëndoshë (qesh…)

Dritan Shakohoxha?

Pothuajse s’e dëgjoj asnjëherë ndeshjen nën komentin e tij. Nuk më pëlqen si komentator, por e kam mik. Ai do të mërzitet për këtë gjë. Nuk më pëlqen sepse bërtet shumë. Në komentin e tij, duket sikur është ndonjë ndeshje e madhe, por në të vërtetë nuk ka ndonjë gjë të madhe nëse e sheh realisht.

Andi Nuraj?

E kam dëgjuar së fundmi në Champions. Është goxha i informuar për futbollin në përgjithësi. Sidomos për atë europian.

Enkelejda Zeko?

Nuk mund të shaj askënd, por Zeko është e vjetër në profesion. Duhet mbështetur sepse është nga femrat e pakta në këtë profesion. Është goxha profesioniste. E bën shumë mirë emisionin, edhe pse ka qenë kritike me mua në shumicën e rasteve.

Gerti Çarçani?

Edhe Gerti është shumë i vjetër në botën e sportit. Duket i ri, por ka shumë vite në median sportive. E ndien futbollin. Nuk kam shumë marrëdhënie.

Eduard Manushi?

Kur shoh këtë emision, nuk e shoh mashkullin. Është aq e bukur ajo, sa nuk e shoh fare Manushin.

Gëzim Sinemati?

E njoh përpara se të isha president i FSHF-së. Ai ka zgjedhur profilin e tij mediatik, që të jetë siç thuhet “kontrapedal”. Si me mua, edhe me të gjithë të tjerët. Megjithatë, nuk e keqkuptoj.

Xhevdet Zeka?

Realisht, nuk është i njëjti nivel në botën e futbollit si paraardhësit që komentuam. Në vitet e fundit, të cilat gjithsesi nuk janë pak, pasi mund të jenë rreth dhjetë vjet, ka qenë shumë aktiv.

Nga lind oponenca e tyre për ju?

Nga dëshira për të ndryshuar gjërat më mirë.

Fation Shehu, zëvendëskryeredaktori i “Panorama Sport”…

Është gazetë opozitare ndaj meje. Është nga më të mirat, ose më e mira në treg. Është oponente dhe që të jesh i shitshëm duhet të jesh oponent dhe e bëjnë për biznes. Për këtë i mirëkuptoj, por të përdorësh në 365 ditë 700 herë fjalën “skandal” është tejkalim i etikës mediatike. Edhe pse s’i kam numëruar në të vërtetë sa herë e përdorin (qesh…).

Do të donit të ishit në rolin që të bënit pyetje?

Po. Nuk është keq.

Çfarë do të më pyesnit nëse jam Armand Duka?

Shumë gjëra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat