Torasa gati, ndaj Salzburgut gjykon një sllovak

Futboll

Torasa gati, ndaj Salzburgut gjykon një sllovak

Më: 2 gusht 2016 Në ora: 00:28
ilustrim

Partizani po e shijon pjesëmarrjen në eliminatoret e Champions League. Pavarësisht humbjes së pamerituar në sfidën e parë ndaj Salzburgut, në ambientin e kuq të gjithë mbeten pozitivë përpara sfidës së kthimit në Austri. Kjo u pa edhe në seancën e fundit stërvitore që skuadra zhvilloi në Pezë Helmës në rrethinat e kryeqytetit, me lojtarët dhe stafin teknik që pas paraqitjes në Elbasan Arena nuk e kanë humbur shpresën, megjithëse kundërshtari ka një emër të madh.

Trajneri Adolfo Sormani kishte në dispozicion të gjithë kontingjentin, duke përfshirë këtu edhe Torasa-n, pas dëmtimit të lehtë që argjentinasi pësoi në stërvitjet e mëparshme. Mungesa e vetme e të kuqve në Red Bull Arena, do të jetë ajo e Renato Kalarit, i skualifikuar pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e parë. Tekniku Sormani është përqendruar më së shumti te puna taktike me skuadrën, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura. Objektivi është që skuadra të rreshtohet perfekte në aspaktin taktik, për të shfrytëzuar më pas të gjitha hapësirat që lejon kundërshtari.

Ndërkohë UEFA konfirmoi edhe arbitrin e ndeshjes Salzburg-Partizani. Ai do të jetë sllovaku Ivan Kruzliak, një emër i njohur për futbollin shqiptar. Më 26 Marsin e kaluar, gjyqtari 33-vjeçar drejtoi miqësoren ku Kombëtarja shqiptare u mposht 2-1 nga Austria, ndërsa në vitin 2011 ai ka drejtuar edhe sfidën kualifikuese ku Kombëtarja Shpresa ka barazuar 2-2 me Portugalinë. Kruzliak është një gjyqtar i kontestuar nga përfaqësuesja angleze dhe trajneri Roy Hodgson në vitin 2013, ndërsa në Shkurt të 2015-ës ishin drejtuesit e Celtic ata që paraqitën notë ankese te UEFA, pas episodeve ku skocezët u mposhtën nga Interi 1-0.

Sipas Celtic, gjyqtari ndikoi në eliminimin e skuadrës nga Europa League, pas pesë kartonëve të verdhë të ekzagjeruar dhe largimit nga fusha me kartonin e kuq të Van Dijk. Përsa i takon sfidës së të mërkurës në orën 20:30 në Red Bull Arena, Partizani pritet të paraqitet me ushtrinë e tij të tifozëve. Sipas klubit, në krah të skuadrës së kuqe pritet të jenë rreth 200 mbështetës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat