Para sfidës me Shqipërinë, momenti negativ i Suedisë

Futboll

Para sfidës me Shqipërinë, momenti negativ i Suedisë

Më: 24 mars 2024 Në ora: 15:03
Suedia

Suedia po përjeton një nga momentet më të errëta të historisë së saj. Nga dështimi për t’u kualifikuar në dy turne radhazi, si Botërori 2022 dhe Euro 2024, zbritja në Ligën C të Nations League dhe Janne Andersson që u bë trajneri i parë i shkarkuar në historinë e tyre.

Në prag të kësaj miqësoreje ndaj Shqipërisë, kombëtarja suedeze e gjen veten para një nevoje të konsiderueshme për një formatim nga e para. Shkarkimi i Janne Andersson që qëndroi për 7 vite me Suedinë ishte i pritshëm pas dështimeve të njëpasnjëshme dhe Jon-Dahl Tomasson zuri vendin e tij në shkurt të këtij viti, duke u bërë edhe trajneri i parë i huaj në stolin e përfaqësueses që prej vitit të largët 1958, kur drejtimin e kishte George Reynor dhe i udhëhiqte drejt një finaleje në Kupën e Botës ndaj Brazilit.

Ish-futbollistit të famshëm danez të Feyenoord dhe Milanit i është besuar një detyrë me shumë përgjegjësi, për të ringritur një skuadër që ka në organika emra me shumë potencial drejt arritjeve të dëshiruara. Për Tomasson, Suedia është vetëm eksperienca e tij e pestë menaxheriale si trajner, pas Excelsiorit dhe Rodës në Holandë, si dhe Malmos dhe Blackburn Rovers. Periudha e suksesshme tek gjigantët suedezë të Malmos me dy tituj kampionë të fituar në vitet 2020 dhe 2021 ishte dhe arsyeja që e çoi Federatën drejt emërimit të tij.

Sidoqoftë, Tomasson e gjen Suedinë me 1001 probleme, ku i duhet të ndërthurë eksperiencën e çmuar të disa prej futbollistëve si Emil Forsberg, Victor Lindelof, Robin Olsen, me perspektivën e Alexander Isak, Anthony Elanga apo Dejan Kulusevski.

Në vitet e fundit, Suedia është kaluar edhe nga fqinjët e saj, me Danimarkën dhe Norvegjinë që kanë arkëtuar më shumë nga shitjet e futbollistëve. Si sasi lojtarësh, Suedia ka arritur të shesë më shumë, por Norvegjia ka përfituar plot 110 milionë euro, gati dyfishin e Suedisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat