De Ligt i bindur për kualifikimin ndaj Lazio: Arritja në çerekfinale një detyrim

Futboll

De Ligt i bindur për kualifikimin ndaj Lazio: Arritja në çerekfinale një detyrim

Më: 5 mars 2024 Në ora: 17:05
De Ligt

Pas plot 13 ditësh mungesë, mbrëmjen e kësaj të marte rikthehet spektakli i UEFA Champions League, me skuadrat e mbetura në kompeticion, që bëhen gati për xhiron e dytë, të raundit të 1/16-ve, raund, që deri më tani ka patur edhe surprizia të mëdha, siç ishte edhe fitorja, minimale e Lazio, 1 me 0, ndaj favoritëve për fitimin e trofeut, Bayern Munich.

Pikërisht këta të fundit do të çelin siparin e xhiros së dytë të këtyre sfidave, teksa në orën 21:00 do të presin në “mitikun” e Mynihut, “Allianz Arena”, “Shqiponjat” e Lazio, ku padyshim objektivi kryesor është arritja e një fitoreje të madhe, për të siguruar kështu, për herë të 34-t, çerekfinalet e këtij kompeticioni, të cilin “Bavarezët” kanë arritur ta fitojnë plot 6 herë gjatë historisë së tyre.

Siç e do zakoni, një ditë para sfidës u zhvillua edhe konferenca e zakonshme për shtyp, nga ku foli edhe qendërmbrojtësi holandez, Matthijs De Ligt, i cili fillimisht foli për periudhën e vështirë, që po kalojnë “Bavarezët” në këtë pikë të sezonit e më tej u ndal te rëndësia, që ka për rekordmenët gjermanë kalimi në çerekfinalet e UEFA Champions League.

“Po kalojmë një periudhë të vështirë, duke pasur parasysh diferencën prej 10 pikësh me Bayer Leverkusen në kampionat. Prandaj, kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Bayern është një nga klubet më të mëdha në botë. Kështu arritja në çerekfinale është pothuajse e detyrueshme. E përsëris, kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme.

Ne do të kemi energji për të fituar. Ne jemi lojtarë të Bayern, punojmë që të bëhemi më të mirë dhe të luajmë më mirë çdo ditë. Kur je i dyti në tabelë, nuk është gjë e mirë për një lojtar të “Bavarezëve”. Do të punojmë për të fituar ndeshjen ndaj Lazio. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për mua.

Mungova gjysmën e sezonit për shkak të lëndimit, ishte shumë e vështirë. Një lojtar dëshiron të jetë gjithmonë në fushë. Unë jam mirë tani. Jam në formë dhe ndihem i sigurt në fushë. Shpresoj ta ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme”,- u shpreh tejet i bindur për fitoren, “tulipani” i mbrojtjes së “Bavarezëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat