Çela pas disfatës së Flamurtarit

Futboll

Çela pas disfatës së Flamurtarit

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 16:25
Çela

Flamurtari mori një humbje që dhemb përballë Bylisit në transfertë, duke ja bërë më të vështirë vlonjatëve objektivin për të arritur një nga dy vendet e para që të çojnë në Superiore.

Trajneri i kuqezinjve, Emiljano Çela nuk u shpreh aspak i lumtur për interpretimin e sfidës nga skuadra e tij, duke përgëzuar Bylisin për fitoren, të cilën e quajti të merituar.

“Patjetër që jam i pakënaqur, sepse nga mënyra e interpretimit, nga ajo që kishim përgatitur, nuk rezultoi asgjë efektive sot. Përpos mungesave që kishim, na u shtua dhe mungesa sot e Imamit në nxehje, pati dëmtim në nxehje. U munduam me aq mundësi sa kishim. Në përgjithësi kishim çuna të rinj në stol, çuna që nuk janë mësuar të lozin në të tilla ritme dhe në të tilla përgjegjësish. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne.

Nuk kam çfarë them më tepër, Bylisi e meritoi fitoren. Patjetër që jam i mërzitur, prisja më shumë sot. Isha munduar që ta mbaja ekipin në ekuilibër, me lojtarë me tipare dinamike dhe me tipare më defensive. Pastaj pësuam atë gol në fund të pjesës së parë, në pjesën e dytë kishim ato mundësitë tona, por u ndëshkuam me atë penallti, që çdo gjë më pas u bë formale.

Di Estefano? Po Patjetër, mund të ishte alternativë, por nuk është se çaluam aty. Çalimi ishte te të gjitha repartet, qoftë te organizimi i lojës apo në zonat e organizimit. Kështu që problemet ishin në tërësi. Janë ndeshje që ne duhet të tregonim më shumë karakter. Janë ndeshje që taktika dhe vendosja hyjnë në plan të dytë, sepse e rëndësishme është shpirti i garës edhe mënyra si e kap topin e parë, por dhe të dytin. Çaluam në përgjithësi te këto parime.

Ishte një mundësi e mirë për ne sot. E shihnim si një dritë në fund të tunelit në sensin që ato mëkatet që kishim bërë rrugës mund t’i ç’bënim sot në këtë ndeshje. Ishte një mundësi e mirë që të ktheheshim aty ku e meritonim. Është një proces më i gjatë për të shkuar te zona e daljes në Superiore, aty ku dhe klubi pretendon.

Nuk është puna vetëm te reparti i mesit të fushës, është te loja bllok e ekipit në përgjithësi. Patëm probleme në të tre zonat e fushës. Për mendimin tim ndikon shumë, sepse në momentin që kapnim topin, tranzicionet pozitive vinin ngadalë, ose e humbnim shpejt topin”, u shpreh Çela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat