Filloi seminari katërditor për gjyqtarët

Futboll

Filloi seminari katërditor për gjyqtarët

Më: 3 gusht 2023 Në ora: 14:17
Pamje nga seminari

Në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të garave që nis më 12 gusht, Federata e Futbollit e Kosovës, e ka organizuar seminarin e përvitshëm katërditor me gjyqtarët e futbollit. Edhe sivjet seminari po mbahet nën përkujdesjen e instruktorit të FIFA-s, Alan Snoddy, derisa atij do t’i asistojë edhe trajneri i fitnesit, Simon Breivik.

Në seminar po marrin pjesë 50 gjyqtarë, si dhe 13 anëtarë të Komisionit të Gjyqtarëve.

Në hapje të tij të pranishmit i përshëndeti Përparim Hasani, kryetar i Komisionit të Gjyqtarëve. Ai e falënderoi instruktorin Alan Snoddy për kontributin e tij të jashtë zakonshëm në ngritjen e kuadrove të suksesshme të gjyqtarëve tanë, e të cilët falë përkushtimit dhe punës së mirë po delegohen në vazhdimësi nga UEFA në garat evropiane.

Hasani tha se seminaret e këtilla u ndihmojnë gjyqtarëve për t’u informuar me rregullat e reja dhe për të qenë sa më të suksesshëm gjatë një ndeshje të futbollit.

Në seminar do të ligjërohen tema të ndryshme siç janë: Ndryshimet e rregullave, incidentet në zonën e penalltisë, integriteti i zyrtarëve të ndeshjes, menaxhimi i lojës, loja me dorë, VAR-linja e intervenimit etj.

Në kuadër të këtij seminari gjyqtarët do t’iu nënshtrohen edhe testeve fizike dhe testimeve të tjera teknike, të cilat do të zhvillohen në stadiumin e KF “Rilindja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat