Nuhiu: Stabiliteti i krijuar te Drita nuk i lëkund objektivat e klubit

Futboll

Nuhiu: Stabiliteti i krijuar te Drita nuk i lëkund objektivat e klubit

Më: 12 nëntor 2022 Në ora: 23:33
Pamje nga konferenca

Java e 17-të e elitës së futbollit të Kosovës sjell ndeshjen Drita - Malisheva, e cila zhvillohet në Stadiumin ndihmës nesër, e diel ora 13:00.

Në konferencë u diskutua për shumë tema, ndërsa me theks të veçantë kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, foli për përgatitjet e ndeshjes së radhës kampionale, pasi sipas tij çdo ndeshje është e rëndësishme dhe ka tri pikë në lojë.

“Nesër është një ndeshje ideale të kthehemi te loja jonë dhe te fitorja. Pres rikthimin e skuadrës dhe kam besim se do të rikthehemi aty dhe nuk duhet të ikim nga ajo.

Kemi përgatitur këtë ndeshje këto dy ditë dhe e diskutuam që kundërshtari po kalon formë të mirë, prandaj duhet që me shumë rrespekt të futemi në ndeshje. Të kërkojmë që atë që kemi përgatitur ta nxjerrim në mënyrë perfekte nesër”, ka thënë Nuhiu. 

Nga pyetjet e gazetarëve, Nuhiut, iu kërkua ‘llogari’ për rezultatet e deritanishme dhe mundësinë për një largim të mundshëm, por kryetrajneri theksoi se stabiliteti që është krijuar te DRITA në katër vitet e fundit nuk i lëkundin objektivat e klubit.

“Të jesh pjesë e Dritës gjithmonë është presion, por mendoj se ky presion është privilegj sepse objektivat dhe kërkesat janë të mëdha. Skuadra është në vend të parë thuajse nga fillimi i kampionatit dhe jemi brenda objektivave.

Tifozët kanë të drejtë të kërkojnë fitore nga skuadra  të cilën e mbështesin vazhdimisht. Mendoj se jemi në rrugën e duhur, nuk mund t’iu garantojmë që me 16-të xhiro ta fitojmë titullin, sepse është vetëm gjysmë rruga.

Duhet të presin, të na mbështesin, të vazhdojmë bashkë, na presin edhe shumë ndeshje. Puna jonë që po bëhet bashkë me drejtuesit si në kampionat ashtu edhe në Evropë gjithcka po funksionon në perfeksion dhe si e kemi planifikuar”, theksoi Nuhiu.

Sa i përket formës aktuale dhe përbërjes së futbollistëve, Nuhiu tha se nuk duhet të shpenzohet energji për ndeshjet që kanë ikur, por kërkon përkushtim maksimal në ndeshjet që vijnë.

“Kemi nevojë ta kemi fokusin në ndeshjet që vijnë. Mund të ketë ndikuar lodhja, ndeshjet në Evropë dhe pastaj kampionati i ri. Por, jam i bindur se në ndeshjet e mbetura të kthehemi te forma jonë dhe të marrim maksimumin.

Po të kthehesha në merkato po këta futbollistë do i kisha marrë, sepse ata na kanë dërguar në vendin e parë.

Kemi futbollistë cilësorë, por nuk diskutohet që ndryshimi i ambientit do kohën e vet. Kemi freskuar ekipin dhe kemi skuadër të re në moshë, prandaj mendoj që në pjesën e dytë të kampionatit do të njihemi edhe më shumë. Po shohim një kampionat të barabartë ku secili mund të fitojë ndaj secilit”,  përfundoi Nuhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat