SPAK kërkon deri 3 vjet e 6 muaj burg për trukuesit e ndeshjeve të futbollit

Futboll

SPAK kërkon deri 3 vjet e 6 muaj burg për trukuesit e ndeshjeve të futbollit

Më: 5 maj 2022 Në ora: 16:05
SPAK kërkon deri 3 vjet e 6 muaj burg për trukuesit e ndeshjeve të futbollit

SPAK zbret në fushë për të dënuar trukimet në futboll. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 2 vite e 6 muaj burg për ish-gjyqtarin e futbollit, Qerim Ruci, në lidhje me ndeshjen e Kategorisë së Dytë mes Selenicës dhe Përmetit, në marsin e vitit 2020, që përfundoi me fitoren e skuadrës mike 0-1 me një penallti.

Pretenca ka të bëjë me akuzën se gjyqtari ka kryer veprën penale, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal.

Ndërkohë, nën akuzë nga SPAK-u janë edhe zyrtari i Përmetit, Bledar Hajredini, dhe ish-futbollisti Markelian Alinani. Alinani akuzohet se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Paracaktim i rezultateve sportive”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i parë dhe 25, 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal dhe për të janë kërkuar 3 vite e 6 muaj burg.

Për zyrtarin e Përmetit, Bledar Hajredini, me akuzën se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive” janë kërkuar 2 vite burg. Të tre personat në fjalë ranë në rrjetën e SPAK-ut rastësisht, pasi u përgjuan bashkë me një tjetër grup që ishte nën hetim për korrupsion dhe trafik, ndërkohë që përgjimet nxorën në konkluzion se ndeshja e futbollit ishte e paracaktuar. Personat e pandehur në këtë proces kanë pranuar gjykim të shkurtuar, duke përfituar uljen e dënimit me 1/3.

Kjo mund të jetë hera e parë në Shqipëri që drejtësia penale dënon me heqje lirie për trukim ndeshjesh, pasi deri më tani prokuroria kishte dështuar në misionin për të luftuar këtë fenomen me dënime konkrete. Pak ditë më parë Federata Shqiptare e Futbollit përjashtoi me 5 vjet 3 klube të Kategorisë së Dytë, Bulqizën, Gramshin dhe FC Internacional Tiranën për trukim të ndeshjeve, duke u bërë thirrje autoriteteve kompetente të kryejnë punën e tyre për të luftuar fenomenin që njollos futbollin shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat