Gjukanoviq flet pas fitores në zgjedhje: Ne jemi një koalicion i pamposhtur - Bota Sot
Gjukanoviq flet pas fitores në zgjedhje: Ne jemi një koalicion i pamposhtur

Evropë

E martë, 18 shtator 2018

Gjukanoviq flet pas fitores në zgjedhje: Ne jemi një koalicion i pamposhtur

Më: 15 prill 2018 Në ora: 19:54
Zgjedhjet në Mal të Zi

(E plotësuar) - “Ne jemi të pamposhtur!”. Me këto fjalë Milo Gjukanovic përshëndeti zgjedhjet e kësaj të diele në Mal të Zi dhe deklaroi fitoren e tij pa qënë nevojë që vendi të shkojë në një raund tjetër balotazhi.

Sipas tij, rezultati i qartë tregon se vizioni dhe programi i tij në krye të Malit të Zi është i duhuri.

“Konfirmohet se jemi në rrugën e duhur dhe drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian”, tha ai.

Gjukanovic falenderoi qytetarët që e votuan, ata që morën pjesë në zgjedhje dhe aleatët që e mbështetën, mes të cilëve edhe shqiptarët, ndërsa përcolli edhe një mesazh për rivalët.

“Rezultati tregon qartë dhe është një mundësi që të reflektoni e të rishqyrtoni bindjet e tua. Asgjë nuk mund të arrihet politikisht duke mohuar gjithcka që Mali i Zi ka arritur deri më tani”, vijoi ai në mesazhin e vet.

Procesi i numërimit të votave ka përfunduar dhe Gjukanovic është shpallur fitues me 53.8 për qind të votave, ndërsa rivali i tij më i afërt, Mladen Bojanic, ka siguruar vetëm 33.5 për qind.

Për Gjukanoviç kanë votuar edhe shqiptarët. Analistët shqiptarë në Ulqin thonë se kjo është zgjidhja për të shpëtuar jo vetëm shqiptarët, por gjithë politikën e rajonit.

Kush është Milo Gjukanoviç?

Në pushtet prej 27 vitesh, herë si kryeministër e herë si president, i pasur po ashtu, ai është njeriu që udhëhoqi fushatën e suksesshme të Malit të Zi për Pavarësinë. Ai u zgjodh kryeministër për të parën herë në ditëlindjen e tij të 29, në vitin 1991, e është i vetmi udhëheqës i një ish-republike jugosllave, që ka mbijetuar në krye që prej shpërbërjes së Federatës së vjetër.

Fillimisht, ai ishte një nga të preferuarit e Sllobodan Milosheviçit, por kur Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina shpallën Pavarësinë në vitet ’91-’92, Gjukanoviç mbështeti vendimin e Malit të Zi për të qëndruar bashkë me Serbinë në Federatën jugosllave, tashmë shumë të reduktuar.

U desh të pritej deri në vitin 1997, që ai të distancohej me regjimin e Milosheviçit, kur kreu deri më atëherë i pathyeshëm, por tani i dobësuar, po përpiqej të anulonte fitoret e kundërshtarëve të tij në zgjedhjet lokale në Serbi.

Po atë vit, ai siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale të Malit të Zi dhe nisi punën për më shumë autonomi, e pse jo edhe për Pavarësi. Gjatë sulmeve të NATO-s mbi Jugosllavi, si pasojë e raprezaljes së Milosheviçit mbi Kosovën, ai deklaroi se Mali i Zi nuk ishte palë në konflikt.

E kjo i dha atij pëlqimin dhe mbështetjen e konsiderueshme financiare nga BE-ja dhe SHBA-të. Admirimi i Perëndimit për Gjukanoviçin u shndërrua në frustrim, kur udhëheqësi malazez këmbëngulte për Pavarësinë edhe pas rënies së Milosheviçit nga pushteti, në vitin 2000.

Ai e udhëhoqi vendin drejt Pavarësisë dhe partinë e tij drejt fitoreve të tjera. Tani, ai do të tregojë edhe një tjetër herë se është i pamposhtur dhe e paraqet veten si mbështetës të Perëndimit dhe garantues të vazhdimësisë së shtetit malazez.

Pavarësisht se shpeshherë është vënë në shënjestër të akuzave për korrupsion, në vendin me vetëm 600 mijë banorë, ai duket se di ku të godasë. Sesa gjatë do të vazhdojë të qëndrojë në krye Gjukanoviç, kjo është një tjetër çështje, pavarësisht se në disa raste, ai vetë ka folur për planet për t’u tërhequr nga politika dhe për t’u përqendruar te biznesi.

Image

DPS shpall fitoren e Gjukanoviqit

Partia Demokratike Socialiste (DPS) ka shpallur fitoren e kandidatit të saj Millo Gjukanoviq në zgjedhjet e sotme presidenciale në Mal të Zi.

Deputeti i kësaj partie, Millosh Nikoliq, tha se në bazë të  80 për qind të mostrave të përpunuara Gjukanoviq ka fituar mbi 54% të votave.

Ai tha se bëhet fjalë për një fitore të madhe dhe historike në kampanjën, në të cilën Gjukanoviq ishte vetëm kundër të gjithëve.

Nikoliq paralajmëroi se Gjukanoviq së shpejti do të mbajë një fjalim nga ndërtesa e vjetër e qeverisë.

Mbështetësit e DPS-it janë mbledhur për të kremtuar fitoren te ndërtesa e vjetër e Qeverisë së Malit të Zi.

Nga 85% e votave të numëruara prin bindshëm Gjukanoviq

Sipas rezultateve preliminare të Qendrës për tranzicion demokratik (CDT), në zgjedhjet e sotme presidenciale në Malin e Zi prin kandidati i DPS, Millo Gjukanoviq me 54. 1 për qind të votave.

Kandidatët tjerë pas numërimit të 85 për qind të votave, kanë fituar si në vijim: Mladen Bojaniq nga pjesa më e madhe e opozitës 33.3%, Draginja Vuksanoviq nga SDP 8.1%, Marko Milaçiq përfaqësuesi i Prave Crne Gore 2.7%, Hazbija Kalaç nga Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit 1%, Dobrilo Dedeiq përfaqësuesi i Koalicionit të serbëve 0.4% dhe Vasilie Miliçkoviq nga grupi i qytetarëve 0.4%. 

Image

Rezultatet preliminare e nxjerrin Gjukanoviqin fitues të zgjedhjeve për president

Kur janë numëruar, më shumë se gjysma e votave të qytetarëve të Malit të Zi për president të vendit, sipas CEMI-t, duket se politikani veteran, Millo Gjukanoviq, do të marrë kreun e shtetit që në rundin e parë.

Siç njofton televizioni i Malit të Zi, me numërimin e 53.1 për qind të votave, Gjukanoviq prin me 53,5%, përkundër 34,1% që ka marrë kundërkandidati kryesor i tij, Mlladen Bojaniq.

Draginja Vuksanoviq nga SDP 5.5%, Marko Milaçiq përfaqësuesi i “Prave Crne Gore” 3.5%, Hazbija Kalaç nga Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit 0.5%, Dobrilo Dedeiq përfaqësuesi i Koalicionit të serbëve 0.3% dhe Vasilie Miliçkoviq nga grupi i qytetarëve 0.2%.

Exit Poll-i thotë se Gjukanoviqi fiton pa balotazh

Exit Polli i kryer nga CEMI e ka nxjerr politikanin veteran, Millo Gjukanoiq, fitues të zgjedhjeve për president të Malit të Zi që në rundin e parë.

Sipas këtij projeksioni, Gjukanoviq ka arritur të fitojë 53.65 për qind të votave të malazezëve.

Fiton sërish Gjukanoviç, por çfarë marrin shqiptarët e Malit të Zi?

Procesi i votimit për zgjedhjet Presidenciale në Mal të Zi kaloi i qetë në 1200 qendrat e votimit. Të drejtë vote kishin 520 mijë malazezë, ku 22 mijë prej tyre janë shqipëtarë.

 Në garë janë 7 kandidatë, por përballja e fortë është ajo e Milo Gjukanoviç, liderit pro-europian, partia e të cilit udhëheq Malin e Zi prej 28 vitesh dhe në anën tjetër, Mladen Bojaniç i Frontit Demokratik një parti kjo nacionaliste ekstremiste proserbe.

Shqiptarët në Mal të Zi u bashkuan për të dhënë votën për Milo Gjukanoviçin.

Analistët në Ulqin thonë se kjo është zgjidhja për të shpëtuar jo vetëm shqipëtarët, por gjithë politikën e rajonit.

“Është një moment kritik, ku të gjitha arritjet e Malit të Zi drejt Europës dhe të gjitha arritjet e shqiptarëve këtu vihen në pikpyetje të madhe nëse nuk fiton Gjukanoviçi”, thotë analisti Ali Sala.

“Do të fitojë Milo Gjukanoviçi që në raundin e parë dhe se kjo fitore do jetë një fitore edhe për shqipëtarët”, deklaron Haxhi Shabani.

“Në këto 30 vite partia e Gjukanoviçit është dashur të bëjë më shumë për të drejtat e shqipëtarëve, por megjithatë tani është një moment kur duhet të votohet Gjukanoviç”, thotë gazetari Ismet Kallaba.

Zgjedhjet në Mal të Zi u monitoruan nga 2000 mijë vëzhgues dhe 30 media të huaja, duke treguar interes për drejtimin që do marrë shteti më i vogel në Ballkan, një drejtim perëndimor në NATO drejt BE –së, apo kthim vite pas drejt politikave proserbe.

Rezultatet e para, prin bindshëm Gjukanoviq

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit shtetëror zgjedhor, në zgjedhjet e sotme presidenciale në Malin e Zi prin kandidati i DPS, Millo Gjukanoviq, me 55. 9 për qind të votave.

Kandidatët tjerë pas numërimit të 10 për qind të votave, kanë fituar si në vijim: Mladen Bojaniq nga pjesa më e madhe e opozitës 34.1%, Draginja Vuksanoviq nga SDP 5.5%, Marko Milaçiq përfaqësuesi i Prave Crne Gore 3.5%, Hazbija Kalaç nga Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit 0.5%, Dobrilo Dedeiq përfaqësuesi i Koalicionit të serbëve 0.3% dhe Vasilie Miliçkoviq nga grupi i qytetarëve 0.2%. 

Image

Mbyllen vendvotimet në Mal të Zi

Në ora 20.00 janë mbyllur vendvotimet në Malin e Zi, ku gjatë ditës qytetarët kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet presidenciale, të tretat këto pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Të drejtë votimi kanë pasur mbi 530 mijë qytetarët. Kandidatët për president janë Millo Gjukanoviq nga DPS, Mladen Bojaniq nga pjesa më e madhe e opozitës, Draginja Vuksanoviq nga Partia Socialdemokratike (SDP), Marko Milaçiq përfaqësuesi i Prave Crne Gore, Vasilije Miliçkoviq nga grupi i qytetarëve, Hazbia Kalaç nga Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit dhe përfaqësuesi i Koalicionit të serbëve Dobrilo Dedeiq.

Për fitore në rrethin e parë nevojiten më shumë se gjysma e votave të vlefshme. Nëse presidenti nuk zgjidhet në rrethin e parë, votimet përsëriten pas dy javësh.

Presidentit aktual Filip Vujanoviq në maj i skadon mandati. Ai ishte në kryerje të detyrës së presidentit të shtetit në tri mandate.

Zgjedhjet janë vëzhguar nga rreth 2.000 monitorues vendorë dhe ndërkombëtarë. Rezultatet paraprake pritet të bëhen të ditura pas një ore.

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, dalja deri në 19.00 është 58.6%

Sipas të dhënave të Komisionit shtetëror zgjedhor, deri në ora 19.00 në zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi që po mbahen sot, kanë votuar 58.6% e qytetarëve me të drejtë vote.

Të drejtë votimi kanë mbi 530 mijë qytetarët.

Këto janë zgjedhjet e treta presidenciale që mbahen në Malin e Zi që pas shpalljes së pavarësisë.

Qendrat e votimeve do të mbyllen në ora 20.00, ndërsa rezultatet preliminare pritet të publikohen një orë më vonë.

Kandidatët për president janë Millo Gjukanoviq nga DPS, Mladen Bojaniq nga pjesa më e madhe e opozitës, Draginja Vuksanoviq nga Partia Socialdemokratike (SDP), Marko Milaçiq përfaqësuesi i Prave Crne Gore, Vasilije Miliçkoviq nga grupi i qytetarëve, Hazbia Kalaç nga Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit dhe përfaqësuesi i Koalicionit të serbëve Dobrilo Dedeiq.

Për fitore në rrethin e parë nevojiten më shumë se gjysma e votave të vlefshme. Nëse presidenti nuk zgjidhet në rrethin e parë, votimet përsëriten pas dy javësh.

Presidentit aktual Filip Vujanoviq në maj i skadon mandati. Ai ishte në kryerje të detyrës së presidentit të shtetit në tri mandate.

Zgjedhjet vëzhgohen nga rreth 2.000 monitorues vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa rezultatet preliminare të projeksioneve pritet të dalin një orë pas mbylljes së vendvotimeve.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test