Një bebe është kapur nga një qytetar pasi është hedhur nga ndërtesa Grenfell e cila ishte kapluar nga flakët, ka thënë një dëshmitare.
Samira Lamrani tha të ketë parë një grua që deshi ta shpëtonte beben e saj duke e hedhur atë nga dritarja “e katit të nëntë apo të dhjetë” para qytetarëve të mbledhur para ndërtesës.
“Njerëzit nisën të shfaqeshin nëpër dritare, duke goditur dritaret e duke bërtitur”, ka thënë ajo.
“Dritaret ishin të hapura... një grua po bënte me shenja se po donte ta hidhte beben e saj dhe nëse dikush do ta priste atë. E dikush e bëri këtë, një zotëri vrapoi dhe ia doli ta kapte beben”, ka thënë dëshmitarja Samira.
“I shihja njerëzit nga të gjitha anët, duke thirrur për ndihmë e goditur dritaret. Ne mundoheshim t’i qetësonim e t’i siguronim se gjithçka do të shkojë mirë, se e kemi telefonuar policinë, por në fytyrat e tyre dukej vdekja”, shtoi ai.
“Një shoqe e bijës sime e ka parë një person që kishte krijuar njëfarë parashute dhe ka tentuar të ‘fluturojë’ nga dritarja. Zërat e tyre, e në veçanti të fëmijëve, nuk do të më hiqen nga mendja edhe për një kohë të gjatë. Mund t’i dëgjoja thirrjet e tyre për ndihmë”, theksoi dëshmitarja, Samira Lamrani, raporton “The Telegraph”.
Një tjetër banore, me emrin Zara, ka thënë ta ketë parë një grua e cila kishte hedhur djalin e saj, të moshës rreth 5 vjeçare, nga kati i pestë apo i gjashtë për t’i shpëtuar flakëve.
“Ato skena ishin të ngjashme me filma holivudianë”, ka thënë ajo.