BE-ja me tarifa synon “të ngufasë” të ardhurat ruse

Evropë

BE-ja me tarifa synon “të ngufasë” të ardhurat ruse

Më: 22 mars 2024 Në ora: 12:44
Një flamur i Rusisë

Bashkimi Evropian po synon “të ngufasë” të ardhurat e Rusisë, të cilat i përdor në luftën kundër Ukrainës, duke vendosur “tarifa ndaluese” ndaj drithërave dhe importet e tyre në bllok, tha komisionari evropian për Tregti më 22 mars.

Propozimi nga Komisioni Evropian po shqyrtohet nga udhëheqësit e BE-së, të cilët po zhvillojnë një samit në Bruksel.

Sanksionet e reja, që u mirëpritën nga Kievi, nuk do të aplikoheshin ndaj drithërave ruse që kalojnë përmes BE-së për në tregje tjera, në mënyrë që të mos shkaktohen pengesa për furnizim në vende tjera, tha komisionari për Tregti, Vladis Dombrovskis.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është ankuar ndaj udhëheqësve evropianë të premten, kur ai foli në samit përmes video-lidhjes. Ai tha se nuk është e drejtë që drithërat ruse të kenë qasje të pakufizuar në tregjet evropiane, në kohën kur importet ukrainase po kufizohen.

Brukseli ka kërkuar që të rrisë presionin ndaj ekonomisë ruse pas vendosjes të disa runde sanksionesh që veçse kanë ngrirë asetet ruse në 27 shtetet e bllokut, kanë shënjestruar udhëheqësit rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, dhe kanë tkurrur tregtinë.

Një ditë më parë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se tarifat e propozuara do të pamundësonin që “drithërat ruse të destabilizojnë tregun e BE-së me këto produkte”.

Komisionari Dombrovskis gjatë së premtes tha se “propozimi i sotëm është në kohën e duhur dhe është hap i nevojshëm”.

Ai tha se tarifat po ashtu do të vendosen ndaj produkteve nga Bjellorusia, shtet që ka lejuar përdorimin e territorit të tij që Rusia të niste pushtimin e Ukrainës më 2022.

Propozimi vjen pasi sipas Komisionit Evropian më 2023 ka pasur rritje të importeve bujqësore ruse në BE.

Dombrovskis tha se këto tarifa do të bënin që importet ruse të ishin “të paqasshme” në tregje dhe do të ndihmonin që të ndalohej praktika ruse “e eksportimit të paligjshëm të drithërave të vjedhura ukrainase për në BE”.

Sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, të gjithë drithërat ruse deri më tani janë përjashtuar nga taksat e importit në BE./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat