Hyrja e Suedisë në NATO e kompleton aleancën ushtarake

Evropë

Hyrja e Suedisë në NATO e kompleton aleancën ushtarake

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 07:44
Logo e NATO-s dhe ngjyrat e flamurit të Suedisë.

Derisa NATO-ja ka pritur me durim për gati 18 muaj që Turqia dhe Hungaria ta japim përfundimisht dritën jeshile për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake, ngazëllimi në Bruksel për ta mirëpritur këtë vend si anëtaren e 32-të nuk është zbehur. Një diplomat i NATO-s e ka përshkruar anëtarësimin e Suedisë si “hapi i fundit” për kompletimin e arkitekturës së sigurisë së NATO-s në rajonet nordik, arktik dhe baltik.

Për ta kuptuar rëndësisë, mjafton ta shikosh hartën. Suedia është vendi i pestë më i madh në Evropë; ajo është më e madhe se Gjermania, shtrihet 1.600 kilometra në drejtimin veri-jug dhe ka një vijë bregdetare dyfish më të gjatë.

Është e qartë nga bisedat me zyrtarë të ndryshëm të NATO-s se roli i Suedisë në NATO ka të bëjë me dy gjëra:

E para, ajo do të jetë qendër për aktivitete në pjesën veriore të Evropës, ku mund të dërgohen shumë armë dhe trupa dhe anasjellja, duke e bashkuar Suedinë me vendet nordike, Danimarkën, Finlandën, Islandën dhe Norvegjinë, në të njëjtën organizatë ushtarake për herë të parë në historinë moderne. Më 2009, kjo pesëshe ishte pajtuar për Bashkëpunimin Nordik në Mbrojtje (Nordefco). Megjithëse nuk është pakt i mbrojtjes së përbashkët de facto, ai ka disa tipare, për shembull, armë të caktuar të përbashkëta, pra ato ia lejojnë njëra-tjetrës përdorimin e infrastrukturës ushtarake dhe hapësirën ajrore. Tani që Suedia po i bashkohet NATO-s, do të jetë një grup i anëtarëve të aleancës që ka një integrim shumë të zhvilluar rajonal.

E dyta, Suedia shihet si garantuese e qëndrueshme e sigurisë – posaçërisht kur vjen puna për tri vendet baltike, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, të cilat tani do të jenë të lidhura me pjesën tjetër të rajonit nordik. Suedia do të kontribuojë me 800 oficerë në brigadën e NATO-s në Letoni qysh nga viti i ardhshëm. Ajo do të jetë vendimtare edhe në mbrojtjen e çdo cepi të tokës së shteteve baltike menjëherë, sepse është në gjendje të japë mbështetje të shpejtë detare dhe ajrore.

Përparësia mbase më e qartë e anëtarësimit të Suedisë në NATO është se Deti Baltik do të bëhet njëfarë “liqeni i NATO-s”, sepse aleanca ushtarake në thelb e rrethon enklavën ruse, Kaliningard, dhe i kontrollon të dyja anët e Gjirit të Finlandës i cili të çon drejt qytetit të dytë më të madh të Rusisë, Shën Petersburg.

Gotland, ishulli ma i madh në Detin e Baltik, do të jetë papritmas shumë i rëndësishëm. Ai i takon Suedisë dhe ndodhet vetëm 300 kilometra larg Kaliningardit, ndërsa tani do ta ketë një ngritje të madhe, pasi porti i tij do të zgjerohet dhe regjimenti që ishte larguar nga aty vite më parë, është rivendosur. Në radhë është përforcimi i linjave hekurudhore në veçanti, në mënyrë që të mundësohet transportimi i më shumë mallrave ushtarake.

Por, edhe qytetit të dytë më të madh dhe portit më të madh të Suedisë, Gotenburg, i cili ndodhet në bregdetin perëndimor të vendit, do t’i rriten kapacitetet gjithashtu, si një pikë e madhe hyrëse për pajisjet ushtarake dhe trupat e NATO-s. Suedia i ka shpenzuar tashmë 2 për qind të bruto prodhimit të brendshme (GDP) për mbrojtjen, duke e arritur cakun e NATO-s nga viti 2014 që shumë anëtarë të aleancës nuk e kanë arritur ende.

Suedia e ka arritur gjithashtu një Marrëveshje për Bashkëpunim në Mbrojtje me Shtetet e Bashkuara, për dërgimin e ndihmës ushtarake amerikane në tokën suedeze. Por, njëlloj si me vendet e tjera nordike të NATO-s, as në Suedi nuk do të vendosen armë bërthamore e as baza të përhershme të NATO-së.

Ia vlen të theksohet se vendi skandinav ka qenë pjesë Partneritetit për Paqe të NATO-s prej vitit 1994 dhe u bë i ashtuquajtur Partner i Mundësive të Zgjeruara për aleancën ushtarake 20 vjet më vonë. Të dyja këto struktura kanë bërë që bashkëpunimi të jetë më i thellë, të ketë stërvitje të përbashkëta rregullisht dhe që Suedia të jetë nën komandën e NATO-s në vende si, Afganistani dhe Bosnja e Hercegovina.

Një aspekt tjetër të cilin po e theksojnë shumë zyrtarë të NATO-s si vlerë shtesë janë armët të cilat Suedia do t’i sjellë në aleancë. Konsiderohet se ky vend i ka dy burime të klasit botëror: së pari, nëndetëset të cilat mund t’i kontrollojnë pjesë të mëdha të Detit Baltik, duke barazuar çdo lëvizje të Rusisë. Dhe pastaj avionët luftarakë të prodhuar nga vetë Suedia, SAAB JAS Gripen.

E tërë flota nordike e avionëve luftarakë do t’i ketë mbi 250 sosh dhe Stokholmi po e shqyrton dërgimin e disa prej tyre në Ukrainë. Suedia besohet se do të jetë edhe një pjesëmarrëse aktive në patrullimet policore ajrore të NATO-s dhe jo vetëm mbi Detin Baltik.

Pastaj e kemi industrinë e mbrojtjes të Suedisë. Ky vend është njëri prej eksportuesve më të mëdhenj të armëve në botë, kryesisht në Shtetet e Bashkuara. Përveç avionëve luftarakë, baza industriale e armëve e saj është e fuqishme edhe në fusha të tjera si, sensorët, armët, armët antitanke të këmbësorisë dhe automjetet e blinduara.

Por, ajo ka edhe disa dobësi të mëdha. Ushtria suedeze me 38.000 trupa cilësohet relativisht e vogël dhe mund t’i duhet ta rrisë shumë numrin, megjithëse kjo do t’i kushtonte. Ky vend ka edhe mungesë të madhe të aseteve detare, siç janë luftanijet. Deri tani, ajo është mbështetur më shumë në luftanije më të vogla të cilat nuk i zotërojnë armët më të mira për mbrojtje ajrore.

Dhe, mbase mund të ketë një çështje burokratike të NATO-s. Duket se rajoni nordik/baltik do të ndahet në dy Komanda të ndryshme të Forcave të Përbashkëta. Danimarka, Finlanda dhe Suedia, plus treshja baltike do të jenë nën komandën e NATO-s me seli në Brunsum, në Holandë, ndërsa Norvegjia nën komandën Norfolk në Virxhinia, e cila merret kryesisht me çështjet dhe sfidat e sigurisë së Atlantikut.

Kjo nuk duhet të përbëjë telashe, sepse komanda të ndryshme të forcës janë në kontakt të vazhdueshëm me njëra-tjetrën, prandaj nuk parashikohet ndonjë telash burokratik. Burimet thonë se ka qenë e rëndësishme, simbolikisht, për organizatën ushtarake të mos e “ndaj” në dysh Detin Baltik, duke i lënë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë në njërën anë dhe Suedinë në anën tjetër.

Së paku tani për tani. Megjithatë, mund të ndodhë që Suedia dhe Finlanda të përfundojnë nën komandën e Norfolkut, por vetëm pasi të jetë bërë një komandë e përbashkët në gjendje të kryejë operacione të shkallës së gjerë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat