​Parlamenti gjerman voton për legalizimin e kanabisit për përdorim personal

Evropë

​Parlamenti gjerman voton për legalizimin e kanabisit për përdorim personal

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 18:32
Foto ilustrim

Ligjvënësit gjermanë votuan të premten në favor të legalizimit të pjesshëm të kanabisit, pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga ekspertët e shëndetësisë dhe sindikatat e policisë.

Rreth 407 ligjvënës – kryesisht nga qeveria e koalicionit të majtë-liberal të kancelarit Olaf Scholz – votuan në favor të projektligjit, ndërsa 226 ligjvënës konservatorë dhe të djathtë votuan kundër tij. Katër ligjvënës abstenuan.

Para votimit, Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach u bëri thirrje ligjvënësve të mbështesin legjislacionin e ri, duke argumentuar se politika e mëparshme e kriminalizimit të kanabisit kishte dështuar, pasi konsumi i tij vazhdoi të rritet në vitet e fundit.

“Sot ne po miratojmë një ligj shumë të rëndësishëm, i cili do të ndryshojë rrënjësisht politikën tonë të kontrollit të kanabisit. Me legjislacionin e ri, synimi ynë i parë është të luftojmë tregun e zi. Qëllimi ynë i dytë është të mbrojmë më mirë të rinjtë dhe fëmijët”, tha ai, duke shtuar se legjislacioni i ri do të parandalojë gjithashtu shitjen e produkteve toksike nga grupet kriminale.

Sipas projektligjit të ri, individët e moshës 18 vjeç e lart do të lejohen të posedojnë deri në 25 gram kanabis. Do të lejohet gjithashtu vetë-kultivimi i deri në tre bimë në shtëpi për konsum personal.

Shoqatat jofitimprurëse, me një maksimum prej 500 anëtarësh, do të lejohen të kultivojnë kanabis dhe ta shpërndajnë atë tek anëtarët. Një anëtar mund të marrë një maksimum prej 50 gramësh kanabis në muaj, sipas legjislacionit të ri.

Si pjesë e masave për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve, konsumimi i kanabisit do të ndalohet brenda 100 metrave nga shkollat, këndet e lojërave, qendrat rinore dhe ambientet sportive. Dënimi minimal për shitjen e kanabisit tek të rinjtë do të rritet në dy vjet burg. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat