Raportohet se një gazetar i njohur gjerman ka pranuar para prej Rusisë

Evropë

Raportohet se një gazetar i njohur gjerman ka pranuar para prej Rusisë

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 10:19
Hubert Seipel dhe Vladimir Putin

Gazetari dhe autori i njohur gjerman, Hubert Seipel, i cili e ka intervistuar presidentin rus, Vladimir Putin, dhe i ka shkruar dy libra për të, i ka pranuar 600.000 euro prej kompanive të lidhura me oligarkun rus, Aleksei Mordashov, është thënë në një hulumtim të përbashkët.

Mordashov është i lidhur me Putinin dhe është në listën e sanksioneve të Perëndimit.

Seipel është i njohur në Gjemani për një intervistë ekskluzive me Putinin më 2014 dhe e ka realizuar një dokumentar për të.

Në hulumtimin e kryer prej transmetuesit gjerman ZDF, revistës Der Spiegel dhe mediumit hulumtues, Paper Trailer Media, është thënë se Seipel, gazetar që ka fituar çmime, ka pranuar para përmes një kompanie me bazë në Qipro, të lidhur me Mordashovin, për dy librat që janë përshkruar nga disa si portrete të favorshme për Putinin.

Sipas dosjeve konfidenciale të shërbimeve financiare me bazë në Qipro, të siguruara prej gazetarëve gjermanë, Seipel, më 2018, e ka nënshkruar një marrëveshje prej 600.000 eurosh për sponsorim, për të shkruar dhe për të promovuar një libër për “klimën politike në Rusi” – një tarifë jashtëzakonisht e lartë për shtëpitë botuese në Gjermani.

Libri është publikuar më 2021 nën titullin “Fuqia e Putinit: Pse Evropa i duhet Rusisë?”, pas një biografie të publikuar më 2015 me titullin “Putin: Përbrenda pushtetit”.

Në dokumentet e siguruara prej hulumtimit, ekziston një dokument, një dorëshkrim që jep shenja se Seipel mund të ketë pranuar para edhe më 2013 për përgatitje të biografisë së Putinit.

Seipel, i cili ka thënë se e ka takuar Putinin “gati 100 herë” dhe ka qenë një prej pak gazetarëve perëndimorë që ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me liderin rus, nuk i ka paralajmëruar lexuesit apo shtëpinë botuese për mundësi eventuale për konflikt interesi.

Seipel e ka konfirmuar për ZDF-në se ka pranuar “mbështetje financiare përmes Mordashovit”, mirëpo ka pretenduar se “kjo nuk ka ndikuar në përmbajtjen e librave të tij në asnjë mënyrë”, duke e përmendur një pikë të kontratës që përcakton se autori “nuk ka obligim ndaj sponsorit lidhur me projektin e librit”.

Kompania televizive NDR ka thënë në përgjigjen e kërkuar prej ekipit hulumtues se nuk ka pasur njohuri për financimin rus dhe ka thënë se po shqyrton padi kundër tij.

Mordashov, manjat rus, që është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, qysh prej vitit të kaluar, për shkak të lidhjeve me Kremlinin, e zotëron një kompani gjermane të udhëtimit, TUI.

Ai është një prej personave më të pasur në Rusi, me një pasuri që shkon në 21 miliardë dollarë, sipas revistës Forbes. /REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat