Lëvizja e re e Vuçiqit shihet si diktaturë de facto

Evropë

Lëvizja e re e Vuçiqit shihet si diktaturë de facto

Më: 8 mars 2023 Në ora: 16:18
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq

Raportimet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të formojë partinë e re “Lëvizja popullore për shtetin”, sipas politologut Mladen Mërdal, shihet si de facto diktaturë.

Të mërkurën, në Serbi është raportuar se Vuçiqi synon të largohet nga partia e deritashme dhe të formojë parti të re. Sipas Mërdalit, ai ka nisur ta humbë besimin e njerëzve dhe lëvizja e re është për të dërguar sinjal se “kushdo që është opozitë, është kundër shtetit”.

“Nëse ai imponon këtë retorikë, duhet të brengosemi se sa larg nga diktatura de facto jemi”, ka thënë Mërdal për “N1”.

Mërdal ka kujtuar se zgjedhjet e fundit kanë treguar Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit nuk e ka vet shumicën dhe duhet të mbështetet me partnerë koalicioni, që sipas tij, kanë potencial shantazhimi.

Është e qartë, ka thënë Mërdal, se SNS-ja është “zhveshur mjaftueshëm para popullit” sa që kjo tash te Vuçiqi shkakton shqetësim.

“E gjithë kjo në një pjesë të caktuar të votuesve të Vuçiqit deri tash është arsyetuar me faktin se rreth tij ka njerëz të këqij dhe ai vetë është në rregull. Kështu u tha edhe për Millosheviqin, por Vuçiqi duket se nuk dëshiron të përfundojë si Millosheviqi. Ai po përpiqet të ndryshojë makinerinë e tij partiake. Gjëja më optimale është ta ndryshojë makinerinë ekzistuese, t’i japë legjitimetit të ri kësaj lëvizje të re të tij”, ka thënë Mërdal.

Ndërkaq, Mërdal ka paralajmëruar për “N1” se lëvizja e re “çon në vazhdimin e krijimit të atmosferës së diktaturës, sepse nëse politikani më popullor në vend lëvizjen e tij e quan shtetndërtuese, kjo mund të kuptohet si mesazh se kushdo që është në opozitë është kundër shtetit”.

Ai po ashtu ka thënë se pret që lëvizja e re të jetë një konglomerat i gjerë i gjithçkaje dhe se në këtë “zhurmë” SNS-ja do të dalë në plan të dytë.

Mediat po ashtu kanë paralajmëruar se Vuçiqi nga dita e shtunë, më 11 mars, do të nisë bisedimet me popullatën në jug të Serbisë, me shumë gjasë në Vranjë.

SNS-ja ka një bazë të fortë pikërisht në juglindje të Serbisë dhe Mërdal ka thënë se narrativa e re dhe imazhi i ri i partisë, nëse paraqitet fillimisht në jug, do të marrë “mbështetje të dukshme dhe pasiononte” të votuesve nga ajo pjesë e vendit, e cila me spinin mediatik do të jetë edhe sinjal për vendet tjera.

“Veçernje Novosti” ka raportuar se presidenti i Serbisë, Vuçiq, do të fillojë formimin e “Lëvizjes Popullore për Shtetin” dhe në periudhën në vijim do të vizitojë të gjitha anët e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat