Komuniteti Shqiptarë në New York, i dha dje lamtumirën e fundit mjeshtri i komunikimit dhe gazetari Agim Nezaj

Amerika

Komuniteti Shqiptarë në New York, i dha dje lamtumirën e fundit mjeshtri i komunikimit dhe gazetari Agim Nezaj

Nga: Dalip Greca Më: 20 maj 2016 Në ora: 15:23

BRONX NY : Mbrëmjen e 16 Majit kishte përfunduar në mënyrë fatale beteja mes gazetarit Agim Nezaj dhe sëmundjes së kancerit në stomak. Siç shkroi shtypi, ai nuk iu dorëzua vdekjes, por Zotit. Me kaq janë thënë të gjitha. Ai e përballoi dyluftimin duke e gëlltiur dhimbjen brenda vetes, por mbrëmjen e së Hënës, zemra e tij pushoi së rrahuri, duke shënuar fundin e betejës. Familja Nezaj hapi dyert e mortit dhe komuniteti shqiptar , jo vetëm në Nju Jork, por edhe shtete të tjerë iu gjend për ngushëllim.

Të Mërkurën, me 17 Maj, familja priti ngushëllimet në Shtëpinë Mortore" Farenga Brothers" në Allerton, Bronx. Nga ora 2 e pasditës e deri në 9 të mbrëmjes vargu i njerzve, burra dhe gra, nuk kishte të sosur. Me qindra ishin ata që iu gjendën pranë familjes, jo vetëm krahinarë të tij, por nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria. Edhe Federata Vatra, me një përfaqësi të saj, me zv/Kryetarin Agim Rexhaj, sekretaren Nazo Veliu, anëtarët e Kryesisë Marjan Cubi e Dalip Greca(editor i "Diellit"), anëtarët e Këshillit Idriz Lamaj, Zef Përndocaj, Musli Mulosmanaj, së bashku me përfaqësuesit e medias së komunitetit Adem Belliu , Beqir Sina dhe Dritan Haxhia, i shprehën ngushëllimet babait të Agimit Bajram Nezaj, nëns Zoja, bashkëshortes Mira dhe vëllait, Agronit.

Të Enjten, me 18 Maj, në orët e para të mëngjesit u organizua ceremonia e përcjelljes si dhe lutjet fetare në Shtëpinë Mortore"Farenga Brothers" për t'u nisur në orën 10 të paraditës drejt Kensico Cemetery, në Valhalla, Westchester County, New York, një ndër varrezat e hapura në vitin 1889, në një vend tepër piktoresk, plot gjelbërim.

Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë qindra vetë. Imam Elez Osmani dhe Mustafë Islami, kanë përcjellë lutjet fetare. Në mesazhin drejtuar të pranishmëve, Imam Elez Osmani, ndër të tjera, duke iu drejtuar Familjes Nezaj, prindërve të Agimit, Bajram dhe Zoja, vëllait Agron, bashkëshortes Mira tha: Sot jemi tubuar që t'ia themi lamtumirën e fundit, bashkëkombasit tonë, vëllaut tonë, familjarit tuaj të dashur, gazetarit, publicistit, studiusit,juristit, pedagogut të mirënjohur Agim Nezaj. Pata rastin të njihem me të personalisht dhe janë të pashlyera kujtimet për të. I afërt, modest, erudit me njohuri të larta.

Ishte ndër pendat e shquara që la emër në letërsi, publicistikë, gazetari dhe në veprimtari shoqërore-politike.Agimi kishte një stil të lehtë shkrimi, që të bënte për vete. Shkrimet e tij lexoheshin me një frymë, sepse i shkruante vendit të tij, vlerave tona të shquara dhe gjeografisë së bukur .

Ishte një personalitet që nuk rreshti së promovuari shqiptarinë dhe Shqipërinë kudo që iu dha rasti.
"Kënaqësia ime më e madhe gjatë këtyre 25 viteve, ka qenë dhe mbetet promovimi i Shqipërisë tonë të bukur tek të huajt" shënoi Agimi në veprën e tij.

Zoti e kishte paisur me një mëndje të ndritur që e shprehi në pendën e tij të artë.Kosovën e kishte pikë të dobët dhe ishte i pashmangshëm diskutimi për të në çdo moment.Me një ndiesi të veçantë i përcillte zhvillimet politike të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat