Agimi, krenari për kombin

Diaspora

Agimi, krenari për kombin

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 13:17

E nderuar familja Mehmeti nga fshati Botushë - Gjakovë
Të nderuar familjarë në Zvicër
Të nderuar bashkëpunëtor e bashkëveprimtar, miq e dashamirë kudo që jeni në Kosovë dhe kudo që gjendeni në kurbet jashtë Kosovës

Me rastin e ndarjes nga jeta dhe kalimin në amshim, të AGIM MEHMETIT, Ish zëvendësministër i parë i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës gjatë luftës, na lejoni që në emrin tim dhe të anëtarësisë së BISHZ, t`ju shprehim ngushëllime të sinqerta dhe njëherit i bashkangjitemi pikëllimit e dhimbjes suaj, të arsyeshme, për ta ndarë dhe përballuar bashkërisht, për aq sa është e mundur në këto rrethana të rënda, për familjarët, farefisin, miq e dashamir dhe në veçanti për të gjithë bashkëveprimtarët dhe bashkëpunëtorët e tij të FARK.
Veprimtaria shumëdrejtimshe që ka zhvilluar gjatë tërë jetës eprori i lartë ushtarak AGIM MEHMETI, në shërbim të atdheut për liri e bashkim kombëtar, është krenari për kombin, për familjen dhe të gjithë ata që kanë pasur rastin dhe fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me te, në veçanti në organizimin dhe themelimin e FARK, në bashkë- veprim me Ministrin e parë të Mbrojtjes Kolonel Ahmet Krasniqin, tani më Hero i Kosovës dhe të heronjve Salih Çekaj, Agim Ramadani dhe shumë të tjerë.
Është një rregull natyror që duhet ballafaquar me të dhe ta kuptojmë se, lindja është fryt i vdekjes.
Njeriu kur lind qan vet, por kur vdes qoftë edhe pas disa ditësh pas lindjes apo edhe 100 e më tepër vite jetesë, kanë për ta qajtur të tjerët, kështu do të jetë edhe me të nderuarin edhe të pa harruarin AGIM MEHMETIN, për të cilin edhe një lum lotësh të derdhen janë pak, por përherë do të mbetet në kujtesë, tek të gjithë ata të cilët e patën të afërt, ata që e njohën dhe i njohu, që e nderuan dhe i nderoj me fjalë dhe me vepër si atdhetar dhe luftëtar me vepra që la gjurmë të pa shlyera dhe të pa harruar në jetën dhe veprën e tij kushtuar atdheut.
AGIM MEHMETI, le të prehet i qetë në amshim, i qoftë i lehtë dheu i Dardanisë antike që aq shumë e deshi dhe luftoi për liri dhe pavarësi të saj dhe bashkimin me trungun e saj Arbror.
Qëndresa dhe krenaria qofshin të pranishme përherë për familjen, miqë e dashamirë, në shenjë nderimi dhe kujtimi për jetën dhe veprën e tij atdhetare të mirënjohur.

Kryetari
Abas Fejzullahi
Solothurn-CH- 2015-08-03

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat