Në Bajgorë të Mitrovicës u mbajt takimi tradicional me mërgimtarë

Diaspora

Në Bajgorë të Mitrovicës u mbajt takimi tradicional me mërgimtarë

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 07:07

Organizuar nga Komuna e Mitrovicës dhe me mbështetje të Ministrisë së Diasporës, është mbajtur në Bajgorë të Shalës takimi tradicional kushtuar bashkatdhetarëve ”Dita e Mërgimtarëve”.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka falënderuar dhe shpreh respektin e tij më të thellë për mërgimtarët që kanë marrë rrugën për të ardhur në këtë vend të bukur e piktoresk të Shalës së Bajgorës, për të kaluar një ditë të këndshme, ku, siç tha ai, do të kenë edhe mundësi të mira për tu njohur më mirë me njëri-tjetrin dhe për të lidhur miqësi të tjera.

“Ky edhe ishte, të dashur bashkatdhetarë, qëllimi i organizmit, të këtij takimi, tashmë tradicional, me bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit”, ka thënë ai.

Në vazhdim kryetari Bahtiri tha se roli dhe kontributi I mërgimtarëve gjatë dekadave të tëra, deri në ditët e sotme, në mbështetje të atdheut, në forma nga më të ndryshmet, ishte i jashtëzakonshëm.

“Përkrahja juaj për çlirimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës dhe natyrisht edhe të komunave tuaja nga ju vini, ishte e shumëllojshme dhe e pakursyer deri në vetëmohim, prandaj edhe meritoni respektin më të thellë dhe vëmendjen e merituar të institucioneve tona të lira e demokratike”, tha ai ndër të tjera.

Ministri I Diasporës Valon Murati, duke I përshëndetur të pranishmit ka thënë se kontributi I mërgatës kosovare është I jashtëzakonshëm, ndërsa ka shtuar se ardhja e bashkatdhetarëve nga shtetet e huaja në muajt e verës I japin shpirt Kosovës.

Sipas tij diaspora vazhdon të mbetet kontributdhënës shumë I madh për Kosove. ”Realisht Kosova po qe se nuk do të vinit ju dhe ta ngjallni në këta muaj të verës, do të ishte një vend shumë I zymtë. Ju I jepni jetë Kosovës. Në këta muaj Kosova ka qarkullimin më të madh të parave. Kontributi I juaj ka qenë shumë I madh për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, tha ai ndër të tjera.

Në emër të mërgimtarëve foli veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare, profesor Fetah Bahtiri. Ai tha fillimisht se mërgimtarët çdo gjë që e bëjnë, për Kosovën e bëjnë me shumë dashuri. ”Ne e dimë se Kosova ka nevojë për përkrahje dhe gjithmonë kemi qenë afër familjarëve dhe miqve tanë këtu. Të gjitha ato që I kemi bërë për Kosovën, i kemi bërë me shumë dashuri”, tha ai.

Në këtë manifestim tradicional ishte i pranishëm edhe deputeti i Republikës së Kosovës, Raif Çela.

Për të pranishmit u shfaq edhe një program i pasur artistik, në të cilën morën pjesë artistët nga Shkodra Bruno dhe Paskaulina Shllaku, si dhe anëtarët e shoqërive artistike nga Mitrovica dhe Obiliqi.

Në kuadër të këtij aktiviteti është hapur edhe ekspozita me piktura e piktorëve nga Mitrovica dhe një ekspozitë shitëse e veshjeve tradicionale kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat