Murati i priti përfaqësuesit e shoqatave të komunitetit egjiptian nga diaspora

Diaspora

Murati i priti përfaqësuesit e shoqatave të komunitetit egjiptian nga diaspora

Më: 25 qershor 2015 Në ora: 11:45

Ministri Murati sot, në një takim, i priti përfaqësuesit e shoqatave të komunitetit egjiptian nga diaspora. Ata shoqëroheshin nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha.

Në bashkëbisedimin që ministri Murati pati me përfaqësuesit e komunitetit egjiptian të diasporës, ata u njoftuan për aktivitetet që do të zhvillohen në muajt e verës, kur bashkatdhetarët vijnë për pushime në vendlindje, regjistrin e diasporës, për përgatitjen e broshurave me të dhëna dhe kalendarit të aktiviteteve, të cilat do të shpërndahen në kufij e për çështje të tjera.

Ndër të tjera, ministri Murati theksoi se si ministri po bëjnë përpjekje që të jenë zëri i diasporës, që t’i trajtojnë hallet dhe problemet, me të cilat preokupohen.

Ministri Murati i inkurajoi përfaqësuesit e komunitetit egjiptian që, përmes investimeve në Kosovë dhe bartjes së përvojës e dijes së tyre, të ndikojnë në zhvillimin e arsimit, por edhe në mirëqenien socio-ekonomike të komunitetit egjiptian dhe të tërë Kosovës. Ai i ftoi përfaqësuesit e komunitetit egjiptian që të bëhen pjesë e rrjeteve të bizneseve dhe rrjeteve të tjera të krijuara në diasporë, të vënë kontakte mes vete dhe të mbajnë lidhje me atdheun.

Në këtë takim, ministri Murati tha se programi i përbashkët me shtetin shqiptar për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë do ta përfshijë edhe komunitetin egjiptian, dhe kjo do të ndikojë që ky komunitet të mos asimilohet.

Ai e ftoi komunitetin egjiptian që të jetë pjesë e procesit të regjistrimit, që është një proces i rëndësishëm, meqë përmes tij do të dihen të dhënat për pjesëtarët e diasporës, shtrirja e tyre, por edhe profilet profesionale.

Në anën tjetër, mysafirët u shprehën të kënaqur me mundësinë që u është dhënë për ta vizituar MeD-në. Ata shtruan pyetje të ndryshme lidhur me nxjerrjen e dokumenteve, të drejtën e regjistrimit, përfaqësimin e komunitetit egjiptian në media, pajisjen me shtetësi të Kosovës e shumë çështje të tjera.

Përfaqësuesit e shoqatave të komunitetit egjiptian e falënderuan ministrin e Diasporës për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat