Demë Ahmeti, themelues i pashallëkut të Vidinit

Diaspora

Demë Ahmeti, themelues i pashallëkut të Vidinit

Nga: Vesel Jaha Më: 21 maj 2015 Në ora: 18:29

Historiografia shqiptare i ka studiuar dy pashallëqe të mëdha shqiptare; Pashallëkun e Shkodrës dhe atë të Janinës. Mirëpo, Pashallëkun e Vidinit, që njihet si Pashallëk shqiptarë, nuk u studiua nga ana e historiografisë shqiptare. Dhe, për të shpjeguar historinë e Pashallëkut të Vidinit duhet të kthehemi në shekullin e XVIII, në vitin 1786.
Në këtë kohë dy pashallarë të njohur: Mahmut Pashë Shkodra dhe Ahmet Kurt Pasha, veziri i Beratit, pas konflikteve të shumta mes veti, ishin pajtuar që të fillonin me veprimtarinë e shtrirjes së pushteteve vetjake në pjesët evropiane të pushtuara nga Perandoria Osmane, ku përfshihej edhe Rumelia. Suksesi më i madh i shqiptarëve për shtrirjen e territoreve, nën drejtimin e këtyre dy pashallarëve, Mahmut Pashë Shkodrës dhe Ahmet Kurt Pashës, ishte viti 1786.

Dhunë dhe plaçkitje të padurueshme nga osmanlinjtë

Për këtë çështje kanë shkruar edhe kronikat e kohës, ku kanë zgjuar kureshtjen e shteteve më të fuqishme evropiane të asaj kohe, të cilët ishin interesuar që shqiptarët t’i kishin në anën e tyre. Kjo ngase, të vetmit në Ballkan, shqiptarët ishin të organizuar dhe si synim kishin të luftonin kundër Perandorisë Osmane. Prandaj, të gjitha këto shtete evropiane ishin të interesuara të krijonin lidhje me elitat feudale shqiptare të kohës.

Pas përfundimit të luftërave austro-ruso-osmane (1791-1792), doli në sipërfaqe edhe Pashallëku i Vidinit, të cilin e krijuan të ashtuquajturit Gërgjali-Daglitë, në krye të të cilëve ishte Demë Ahmeti. Demë Ahmeti është identifikuar me nofka të ndryshme, por ajo që e hasim më së shpeshti është Kara Fejzi.

Për shkak të nofkave të tija të shumta gjatë veprimtarisë jetësore, historianët shqiptarë e patën të vështirë të bënin edhe identifikimin e tij si personalitet dhe emër i njohur, me rëndësi të madhe për kohen kur ai jetoi e veproi.

Është e njohur një etapë kur Demë Ahmeti kishte arritur një pajtim me Perandorinë Osmane, i cili në krye të këtij pashallëku emëroi, Osman Pasvan Oglinë, që ndër shqiptarët njihej me emrin Arnaut Osmani.
Në popull dominonte mendimi se duhej bashkuar këtyre dy pashallarëve: Mahmut Pashë Shkodrës dhe Ahmet Kurt Pashës, sepse edhe populli ankohej nga presionet e tagrambledhësve (haraqlinjtë) të sulltanit, të cilët bënin dhunë dhe plaçkitje të padurueshme ndaj popullsisë. Për këtë shkak gjetën edhe përkrahjen e popullit. Për këto ngjarje më së shumti ka dhënë shënime e kronika, i ashtuquajturi Mulla Mustafë Besheskia, ish-jeniçer i pensionuar.

Kur Perandoria Osmane gjendej përballë luftës me Austrinë dhe Rusinë, Sulltani kishte filluar përçarjen mes feudalëve shqiptarë, pashallarëve të Vidinit, ku Mahmut Pashë Shkodra i bashkëngjitet Perandorisë Osmane në luftë kundër austriakëve dhe rusëve.

Të gjitha palët kishin dërguar misionarët e tyre, Austria kishte dërguar Pjetër Novakoviqin, i cili ishte me origjinë shqiptare, por i takonte fesë ortodokse. Novakoviq, është bërë i njohur në të ashtuquajturin “revolucioni serb” i vitit 1804, ku në të njëjtën kohë ishte përpjekur që të formonte shtetin shqiptarë, ngjashëm siç e kishte bërë edhe Rusia.

Në vitin 1787, Perandoria Osmane, në krye me Sulltan Hamitin, arriti që t’i eliminoi dy figura të njohura shqiptare, Omer Pazvan Ogllin e Vidinit (të cilin e kishte likuiduar Melek Pasha) dhe Ahmet Kurt Pashën e Beratit (i likuiduar nga Sulltan Selimi i III-të, me 01 tetor 1791 në Nish). Me 1796 likuidohet edhe Kara Mahmut Pashë Shkodrani, i njohur edhe si Kara Mahmut Pashë Bushati.

Pas vrasjes së Ahmet Kurt Pashës, me 1787, të cilin e kishte helmuar mjeku i tij, rrugën e të jatit e ndjekin të bijtë e tij, Mehmeti dhe Dema. Dema, në këtë kohë ishte bërë i njohur me nofkat; Kara Plisi, Kara Fesi, më vonë si udhëheqës i Gërgjalinjëve dhe Dagëlinjëve me nofkën Kara Fejzi.

Për Kara Mahmut Pashën dhe bashkëpunëtorët e tij, siç ishte Ahmet Delia, ka shkrime edhe në gjuhën serbe, që quhen “Stari spisi” dhe “Nat spisi”, ku jep shpjegime historiani serb Luba Stejanstoviq. Në këto shkrime, autori flet për lidhjet e Ahmet Delisë me Kara Mahmut Pashën. Për Ahmet Delinë ka shkrime edhe në arkivat e Austrisë.

Bëhet e ditur se për këtë personalitet ka qenë i interesuar me hulumtimet e tija edhe autori serb, Dushan Panteliq.

Madje, një monografi të rëndësishme për Ahmet Delinë shkroi edhe një autor tjetër serb, Vasa Qubrilloviq. Për këtë figurë shqiptare ka edhe dokumente osmane të cilat janë të përkthyera nga orientalisti, Hazim Shabanoviqi.

Mirëpo, kësaj radhe do të fillojmë shpjegimin e historikut të Pashallëkut të Vidinit, si qendra kryesore e shqiptarëve të rebeluar, për të cilët pati edhe trajtesa. Pati interesim të madh të të huajve, si; francezë, rusë, gjermanë etj..

Historia e familjes shqiptare e Pazvan Agës

Historia e Keti Pashë Llukut filloi me historinë e familjes shqiptare të Pazvan Agës. Pasardhësi i Pazvan Agës është nipi i tij Osman Pazvan Ogllu, i cili, për guximin dhe luftërat e tija të shumta, u bë i njohur gati në të gjitha qendrat evropiane të kohës. Por, fshehtësi e pa zbuluar deri më tani është se këtë Pashë e kishte vendosur vetë Demë Ahmeti. Është ky një fakt, ndoshta i pa pranuar nga opinioni, që më së miri shtjellohet në një shkrim gazetaresk të asaj kohe. Më gjerësisht shpjegohet në librin në dorëshkrim. Kësaj here jepet një konceptim i shkurtër i këtij historiku.

Osmani, u lind me 1758 në Vidin, tash ky territor i takon Bullgarisë veriore. Babai i Osmanit ishte Omeri, i cili kishte trashëguar pasurinë nga i ati, Pazvan Aga. Pazvani, e kishte marrë këtë emër nga profesioni që kishte, ndriçimin e qytetit të Stambollit. Më vonë, ai, kishte marrë pjesë në luftëra që zhvilloi Perandoria Osmane me 1737-1740, kur edhe mori në zotërim Pashallëkun e Beogradit. Në këto luftime, Pazvani, ishte dalluar për trimëri, andaj edhe merr titullin, Agë, si dhe i janë dhuruar disa fshatra; mes Timokut dhe Vidinit. Ky u vendos në dy fshatrat më të njohura, Bursa dhe Kirsa.

Të parët e Pazvan Agës kanë qenë të lindur në Tuzëll të Bosnjës. Po në këtë qytet ka lindur edhe i biri i tij Omeri, i cili ishte bërë i njohur në rrethin ku jetonte dhe ishte emëruar Bajraktar i atij rrethi. Aradhet e tij ishin kryesisht shqiptare.

Pushteti i kohës e kishte hetuar se ky kishte lidhje me pashallarët Kara Mahmut Pashë Shkodrën dhe Ahmet Kurt Pashën, të cilët zhvillonin luftëra në një territor të gjerë të Serbisë dhe Bullgarisë, e deri në afërsi të Stambollit. Divani i Sulltanit kishte urdhëruar qeveritarin e Vidinit, Melek Pashën, një plak i respektuar nga Porta e Lartë që ta likuidonte Omarin.

Omari, nuk ndalej kurrë së punuari për krijimin e shtetit shqiptarë

Melek Pasha, duke e ditur se nuk ishte i lehtë likuidimi i tij, mblodhi gjithë parinë, me ndikim dhe autoritet, si dhe të përkushtuar ndaj Perandorisë Osmane, për të diskutuar mënyrën më të lehtë për likuidimin e Omarit. Omari, e kishte diktuar përpjekjen e Melek Pashës për vrasjen e tij, andaj, nuk dilte vetëm. Ai, rrethohej dhe ruhej nga rrethi i tij, shqiptarë. Omari, nuk ndalej kurrë së punuari për krijimin e shtetit shqiptarë, ku kishte edhe mbështetjen e pashallarëve në zë. Për këtë edhe fliste hapur.

Një ditë, derisa Omari kalonte nëpër qytet, personi që kishte pranuar ta vriste, e thirri Omarin dhe i tregoi se kishte marrë një shumë të madhe parash për ta vrarë, por që kishte hequr dorë nga vrasje e tij. Omari e këshilloi që t’i kthente paratë, ndërsa vet i dha një shumë të dyfishtë.

Mirëpo, Melek Pasha, përgatiti strategjinë e dytë për likuidimin e Omarit. Kësaj here me sulm të befasishëm, duke ia rrethuar shtëpinë. Pas një lufte të ashpër, vritet Omari, kurse shpëton i biri, Osmani.

Osmani, iu bashkua ushtrisë së Mahmut Pashë Shkodranit, i cili kishte hyrë thellë në territoret e Bosnjës. Mirëpo, me 1788, Mahmut Pasha, pas premtimeve të shumta të Sulltanit kishte pranuar të luftonte në mbrojtje të Perandorisë Osmane. Në këtë kohë, Vezir i Madh ishte Hoxhë Jusuf Pasha, i cili e kishte marrë komandën e ushtrisë. Dhe, për përgatitjen e ushtarëve për në frontin e Erdelit dhe Moldavisë kishte angazhuar princin e Vllahisë, Marianin.

Ky princ grek i formoi disa qeta prej shqiptarëve të Vllahisë; krishterë e mysliman, të cilët quheshin, arnaut.

Osmani u radhit nën flamurin e këtij princi dhe luftoi për herë të parë në territoret e Vllahisë, Rumania e sotme.

VIJON

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat