Atëherë kur kultura bashkon popujt me kulturën dhe me gjuhën e tyre

Diaspora

Atëherë kur kultura bashkon popujt me kulturën dhe me gjuhën e tyre

Më: 29 mars 2015 Në ora: 15:51

Pas pesë vjetëve, prej kur mbahet ky festival në Cyrih, sivjet të pranishëm ishin edhe bashkëkombësit tanë, falë Bujar Demollit, një veprimtar i njohur në Zvicër dhe regjisorit e aktorit të merituar, z. Adem Kicaj. Kulturën tonë e prezantuam siç është më së miri, dhe siç ka bërë edhe më herët nëpër aktivitete të ndryshme në Zvicër e më gjerë SHKA «Dardania»

Mbrëmë, aty rreth orës 22:15 minuta, përfundoi Festivali Kulturor i Gjuhëve të Huaja në Cyrih. Salla «Kongresshaus» ishte e stërmbushur, meqë sipas organizatorëve ishin të pranishëm jo më pak se mbi 2 000 veta. Kishte aty shqiptarë, turq, boshnjakë, zviceranë të tjerë, për ta përcjellë një copë arti e kulture të çdo populli, që jetojnë në këtë shtet shembull të bashkëjetesës, siç është Zvicra. Program enkas për të ardhmen e çdo populli, për fëmijët, për këto dallëndyshe që po rriten në shekullin XXI, por që nëpërmjet kulturës, recitimeve, këngëve e valleve thërrasin për paqe dhe për të mirën e përgjithshme. Pas pesë vjetëve, prej kur mbahet ky festival në Cyrih, sivjet të pranishëm ishin edhe bashkëkombësit tanë, falë Bujar Demollit, një veprimtar i njohur në Zvicër dhe regjisorit e aktorit të merituar, z. Adem Kicaj.

Gërshetim kulturash dhe traditash

Kulturën tonë e prezantuam siç është më së miri dhe siç kanë bërë edhe më herët nëpër aktivitete të ndryshme në Zvicër e më gjerë SHKA «Dardania», me qendrën e saj në Winterthur, e drejtuar nga Shefqet Cakolli. Salla në përgjithësi kishte më shumë turq, por nuk munguan edhe bashkëkombësit tanë. Është z. Ejde Sabanci, organizatori kryesor i këtij evenimenti të madh kulturor, ai që ishte renditur në rendin e parë të sallës, së bashku me personalitete të larta të Zvicrës, nga Cyrihu e Zugu. I pranishëm ishte z. Sali Sefa, konsull i Kosovës në Cyrih, pastaj drejtoresha e Qendrës Kulturore, zonja Shukrije Ramadani, miqtë zviceranë Peter Hegglin (Regierunsrat – Qeveria Kantonale – Zug), z. Mario Fehr Regierungsrat Zürich (Qeveria Kantonale), Regierungsrat Martin Graf Direktor der Justiz und des Innern (këshilltar qeveritar – ministër në Kantonin e Cyrihut), e shumë e shumë të tjerë.

Mbrëmja e djeshme do të kujtohet gjatë nga të gjithë të pranishmit. Me një letër përshëndetëse, nga moderatorët u përmend edhe ambasadori i Kosovës, Naim Malaj, i cili i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i përgëzoi për këtë aktivitet. Atëherë kur pritej që të mbushej salla, poshtë objektit ndodhi edhe një paraqitje e mirë e të gjitha kulturave nëpërmjet ushqimeve e traditës së secilit popull që prezantohej në këtë eveniment. Ata shpërndanin ushqim tradicional, por edhe i njoftonin të interesuarit për bukuritë e çdo shteti përkatës.


Kënga e çiftelia si në oda burrash

Po ashtu, nuk mungoi edhe pjesa shqiptare, me flamurin kombëtar dhe atë të Kosovës. Kishte gjithashtu ushqim tradicional, si dhe shihej çifteli, daulle dhe libra të ndryshëm me bukuritë e trevave të ndryshme shqiptare. E në sytë e fëmijëve mërgimtarë shihej një gëzim i madh, që i ishin duart e ftohta, por zemra u rrihte me ritëm të shpejtuar, sepse donin të prezantoheshin sa më mirë. Pa dyshim që Shefqet Cakolli e kishte një punë të madhe, duke i përgatitur fëmijët e SHKA «Dardania», të cilët u paraqitën me një këngë me çifteli dhe me një valle. Vëllezërit Kuqi, Arbnor dhe Rrezarti kënduan këngën Bilbilat e Dukagjinit. Kjo shoqëri u paraqit me 20 anëtarë të grupit të vegjëlve. Pas disa fjalëve nga miqtë zviceranë dhe organizatori kryesor, z.Ejder Sabanci, filloi edhe programi.


I pari nga e djathta, Shefqet Cakolli, Bujar Demolli, Adem Kicaj dhe Esat Husaj

E aty shihej Adem Kicaj, i cili e kishte përgatitur gjithë skenarin dhe regjinë, më pastaj Bujar Demolli, që ishte pjesë e organizimit të përgjithshëm, të cilët ishin me shumë emocione, kur e dinin se do të paraqiteshin fëmijët mërgimtarë, por ata kishin edhe gëzim, duke e ditur dhe njohur punën e madhe që ka bërë kjo shoqëri. Adem Kicaj u fliste miqve zviceranë para se të fillonte programi për kulturën shqiptare, u fliste për traditën tonë të lashtë dhe merrte fjalë të mira po ashtu nga të pranishmit. E ishte z.Ejder Sabanci, që ja besoi aktorit dhe regjisorit tonë shqiptarë, që jeton dhe vepron në Zvicër, z. Adem Kicaj, gjithë këtë punë madhore të këtij evenimenti, aq të madh kulturorë, por edhe me respektin e arqitektit tonë të mirënjohur Bujar Demolli.


Regierungsrat Martin Graf Direktor der Justiz und des Innern (këshilltar qeveritar - ministër në Kantonin e Cyrihut) me revistën «dialogplus»

E Bujar Demolli, në anën tjetër, gjithashtu, me miq zviceranë, turq e boshnjakë bashkëbisedonte që vitin tjetër do të kemi edhe paraqitje më të mira, sepse vetëm në Zvicër kemi shumë shoqëri dhe që të gjitha brenda vitit së paku kanë deri në 15 paraqitje. Në sallë nuk kishte asnjë vend të lirë.

Duartrokitjet më të gjata për SHKA «Dardania»

Programi filloi kur në skenë dolën të gjithë fëmijët, që do të merrnin pjesë në këtë festival, e aty shiheshin edhe fëmijët mërgimtarë me flamurin kombëtar kuqezi dhe atë të Kosovës. Pas shumë paraqitjeve, në recitime, këngë dhe valle, erdhi edhe momenti emocional, kur të gjithë e morën nga një medalje. Por, duartrokitje më të madhe pati për SHKA «Dardania», si në valle, ashtu edhe në këngë, pasi u këndua këngë me çifteli, ulur si nëpër odat shqiptare, me plis në kokë, e cila, edhe pse e zuri vendin e tretë, megjithatë ishte më e pëlqyera. Këte e tregojnë nga duartrokitjet e shumta që morën për disa minuta me radhë. Sido që të jetë, që të gjithë ishin të kënaqur, sepse u treguan të mirë. Krejt në fund, u bë e ditur se vitin 2016 organizimi do të jetë edhe më madhështor.


Një organizim vërtet i shkëlqyeshëm

Ne për «dialogplus» patëm mundësi të marrim një fjalë të shkurtër nga z. Sali Sefa, Shukrije Ramadani, Adem Kicaj e Bujar Demolli, e të gjithë e vlerësuan lart paraqitjen e fëmijëve mërgimtarë dhe ishin me emocione, pasi vërtet një ishte organizim i shkëlqyeshëm.

Ndërsa Mario Fehr dhe Peter Hegglin thanë për «dialogplus»: «Sonte e kemi parë një program të shkëlqyeshë». Krejt në fund të këtij organizimi, u panë edhe sponsorët kryesorë të këtij evenimenti, që ishin me kombësi turke dhe organizatori që ua ndau nga një medalje për përkrahjen e madhe. Ndërsa, në anën tjetër, pa dyshim që mërgimtarët tanë që ishin të pranishëm na thanë: «Ky organizim është shembull se edhe ne shqiptarët që jetojmë në Zvicër na duhet të jemi më të bashkuar dhe ta organizojmë një eveniment të këtij karakteri, kur dihet se vetëm në Zvicër jetojnë dhe veprojnë mbi 250 000 shqiptarë. U lumtë organizatorëve!».


Kultura bashkon gjuhët, religjionet, ngjyrat, mendimet…

Adem Kicaj, ky regjisor dhe aktor i merituar, tha për «dialogplus»: «Jemi munduar që të jemi pjesë e këtij evenimenti, meqë më ka ftuar Bujar Demolli. Bujarin e çmoj dhe ai është pjesë e këtij organizimi, por ka edhe shqiptarë të tjerë që kanë dhënë kontribut të madh. Ne kemi bashkëpunuar me organizatorin dhe doli një program shembullor. E di se ka plot artdashës e artistë shqiptarë në Zvicër, prandaj të bashkohemi të gjithë dhe të prezantohemi siç është më së miri.

Ne në Zvicër nuk jemi të suksesshëm vetëm në futboll, sepse, siç dihet, kemi mjekë të mirë, inxhinierë, bankierë e afaristë të mëdhenj. Na duhet bashkimi dhe bashkëpunimi». Krejt në fund të këtij evenimenti, fëmijët mërgimtarë ishin më të gëzuarit, sepse e kishin fituar nga një medalje nga organizatorët, por, në anën tjetër, e prezantuan kulturën tonë të lashtë dhe shumë të pasur. Për më shumë flasin fotot me «gjuhën» e tyre origjinale nga ky spektakël i pasur me art, ndërsa e shtuna e 28 marsit do të mbahet në kujtesë për të gjithë si një ditë e mrekullueshme, kur kultura është ajo që bashkon gjuhët, religjionet, ngjyrat, mendimet… (dialogplus)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat