Krijuesit shqiptarë nga Austria i dhuruan publikut emocione dhe dashuri!

Diaspora

Krijuesit shqiptarë nga Austria i dhuruan publikut emocione dhe dashuri!

Nga: Ramiz Selimi Më: 27 mars 2015 Në ora: 15:26

Shoqata “Dardania” nga Knittenfeld në Landin e Steyrmark-ut, në bashkëpunim me shoqatën e krijuesve shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” organizuan një pasdite të këndshme letrare të kombinuar me pika muzikore në këtë qytet.
Në këtë pasdite të pranishmit i përshëndeten moderatorët zonja Jehona Muja -Sukaj dhe arkitektja zonja Arbana Bytyqi, të cilat bënë hapjen e programit dhe ju dëshiruan mirëseardhje të pranishmëve.

Kryetari i kësaj shoqate Fatmir Osmani pasi përshëndeti të pranishmit, lexoji historikun e shoqatës dhe kontributin e madh që ka dhënë kjo shoqatë në ruajtjen e vlerave kombëtare me aktivitetet e tyre të ndryshme. Shoqata kishte një aktivitet të ngjeshur dhe të larmishëm që nga viti 1991, i cili është për tu admiruar dhe respektuar.

Zoti Besim Xhelili tregoj shkurt për rëndësinë e organizimeve të tilla dhe ajo që gëzojë krijuesit shqiptarë, ishte zgjedhja e zotit Xhelili në kryesinë e subjektit austriak “ IG Autorinnen Autoren”, kjo është një organizatë apo Sindikatë që mbron interesat e autorëve në Austri. Miku i shqiptarëve shkrimtari austriak z. Peter Paul Wiplinger, e kishte bërë propozimin për Besimin. Ky është një sukses i madh për krijuesit shqiptarë në Austri, pa diskutim.

Poezitë e tyre i lexuan Vjollca Koni me dy poezitë patriotike “Jam cucë mali dhe ku të ndodhë” , Ragip Dragusha me poezitë “Breshka dhe Fol Shqip”, Dan Kosumi me poezinë “ Ah, ai dimri i 1878-es”, Vehbi Haliti me poezinë për “ Mësuesit”, Haxhi Morina me dy poezi të bukura: “Poezia e ime dhe Ah moj Hanë”, Mentor Gashi me “ Makina Vest dhe Dëshirë apo”, Anton Marku me “Ethet e mallit”, Besim Xhelili me “Shenjë nga të vdekurit dhe Vijat e atdheut”. Nga Shqipëria mysafirë ishte poeti Fatmir Gega i shtyrë në moshë. Ai lexojë poezinë e tij të bukur kushtuar pleqërisë dhe bukurisë me titullin “Bukuria dhe Mosha”.

Si gjithnjë në takime të tilla veçohet interpretimi bravuroz dhe emocional i poetit shkodran Ragip Dragusha, kësaj radhe me dy poezi “ Fol Shqip” dhe poezinë “Breshka”. Ai u prit mjaft mirë nga publiku te cilët i kërkuan edhe poezinë e trete, ajo titullohej “Zana e malit”. Dan Kosumi gjithashtu i dhurojë emocione publikut me poezinë e tij “ Ah, ai dimri i 1878-es”!

Mësuesja e mësimit plotësues në këto rajone zonja Roza Ndrecaj ishte përkujdesur për pikat muzikore me grupin e nxënësve, si dhe instrumentisti Isuf Tërshana me meloditë në Gajde dhe Fyell.

Duhet lavdëruar organizatorin për organizimin e ngrohtë dhe të saktë të kësaj mbrëmje me programin e tyre tejet të pasur, ku ndihmuan grupi muzikor i shoqatës “ Dardania”. Ishte një pasdite poetike, ku ishin shumë krijues dhe dashamirë të muzës poetike, pikturës dhe publicistikës, autorë që jetojnë në Austri. Ishte një kombinim i mirë festiv. Në fund për të gjithë të pranishmit u shtrua një koktej falas nga Shoqata “Dardania” Knittenfeld.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat