Me modesti mbi meritat, me mburrje mbi kuotën!

Diaspora

Me modesti mbi meritat, me mburrje mbi kuotën!

Nga: Prend Gjergjaj Më: 6 mars 2015 Në ora: 17:10

Edhepse, tani më, një çerek shekulli nuk jetoj në Kosove, me Te (me Vendlindjen time) jam i lidhur –siç shprehet Jakov Xoxe në Lumin e vdekur, si rrapi shekullor me token e vet.

Duke ndjekur, edhepse nga larg, por me pasion zhvillimet në, mbi dhe rreth Kosovës, këto ditë bie në sy përzgjedhja e z. Aleksander Lumezi në detyrën e Kryeprokurorit të Kosovës nga Këshilli Prokurorial. Edhepse në çastin kur po i vë në letër këta rreshta, “rasti” gjendet akoma në pritje tek Presidentja, është plotësisht e pritshme se konfirmimi i përzgjedhjes do të ndodhë, madje edhe përkundër “kapjes” momentale që (përzgjedhjes) po ia bën Kushtetuesja (lexo: E. Hasani).

Ajo që për opinionin në Kosovë dhe rrethet e caktuara profesionale është e ditur, se z. A. Lumezi është jurist i zoti apo jo, se është konsekuent në qëndrimet e tij apo jo, politikisht e në çfarëdo aspekti tjetër i paanshëm apo jo -për mua (nga larg) është më së paku e ditur. A. Lumezi personalisht nuk e kam as në fis e as në fare –siç thuhet. As që jemi takuar ndonjëherë në jetë. Përveç tjerash, sa kuptoj nga mediat, ai duhet të jetë shumë më i ri se unë.

Megjithatë, përzgjedhja e tij në detyrën e Kryeprokurorit të Kosovës, që pa mëdyshje është një nga pozitat kyçe dhe me ndikim në sundimin e ligjit dhe zhvillimin e gjithmbarshëm demokratik të vendit, më zgjon (besoj jo vetëm mua) kureshtjen dhe vëmendjen (së paku) edhe nga një këndvështrim tjetër tejet serioz. Me sa dihet, në vendin e kryeprokurorit nuk mund të vije ndonjë anonimus, që këtu për fat të mirë e përjashton mundësinë /spekulimet për paaftësinë eventuale të z. Lumezi. Mirëpo, nga ana tjetër po ashtu dihet se në një pozitë të tillë, nuk mund të vihet pa mbështetjen e fortë nga dikush i forti.

Nga sa merret vesh, z.Lumezi kësaj radhe nuk i ka munguar përkrahja nga i forti (dhashtë Zoti që të jetë i fortë, e që të jetë konsekuent në përkrahjen), aq më tepër kur ky i forti – në këtë rast kreu i Kishës katolike (jodetyrimisht vetëm Ipeshkvi), përfundimisht e ka kuptuar se përzgjedhja e z. A.Lumezi në detyrën e tij është edhe punë/çështje e kuotës. Më se sinqerisht i them z.Lumezi që çështjen e kuotës (fetare) ta kuptojë shumë drejt (për çfarë nuk kam asnjë arsye se do të ndodhe e kundërta -aq më tepër kur tani edhe e ka të siguruar përkrahjen e “të fortit”, por, që përkundrazi tepër lirshëm dhe komod (e me mburrje) mund dhe le të ndihet për kuotën.

Ndërkaq, atë të fortin e kësaj here-kreun e Kishës katolike, e përgëzoj për përkushtimin dhe angazhimin që kanë reflektuar në këtë rast (gjë që para sa vitesh nuk e kishin bërë në përzgjedhjen e gjyqtarit kushtetues nga radha e jo kosovarëve - e që ishte një rast i shkëlqyeshëm për poentim si nga ana e këtij kreu, po ashtu edhe nga ana e mbare spektrit politik, por asokohe si duket ata i kishte zënë gjumi (a thua vetëm gjumi?) Si kandidat nga radha e të huajve ishte shqiptari nga Kosova, me përvojë të begat në dy shtete,… por, ndoshta jo edhe sa duhej i ngërthyer për klanin e stubllakëve, apo ndonjë “face” tjetër politike). Madje, edhe më tepër se kaq, i porosis këta të njëjtit që sado herë dhe kurdoherë që paraqitet nevoja për kyçje – të kyçen, sepse, mbi të gjitha mu kjo është detyra qoftë baritore, qoftë patriotike e tyre në përkujdesjen për ruajtjen, kultivimin dhe zbatimin pse jo edhe të kuot-ës/ave në pozitat më të larta institucionale në Kosovë.

Kjo rregull e pashkruar- që, në kreun institucional të Kosovës, rëndom të (bashkë)gjendet edhe ndonjë përfaqësues i besimit katolik, ishte përgjithmonë çështje (pra, rregull e pashkruar) që nënkuptohej/vetëkuptohej, madje edhe realizohej. Kështu veprohej edhe nga i përndrituri Ibrahim Rugova në Kosovën e lirë (shembull Kolë Berisha) e kështu do (të) duhej dhe le të mbetet përgjithmonë.

Patjetër, tani është çasti për të theksuar se nënkuptimi dhe realizimi i (çështjes së) kuotës nuk guxon assesi të mbetet çështje për vete (sa për sy e faqe).

Ai “i forti” (po jo vetëm ai dhe kurrsesi jo i vetmi) që ka në dorë mundësinë e përzgjedhjes së kandidatit (qoftë edhe -kur kjo ndodh- nga kuota) duhet detyrimisht të luftojë për reprezentues të denjë për më të mirin nga më të miret. Sinqerisht besoj se z.Lumezi e ka me për zemër të mbahet mend jo si Kola i III, por si Aleksandri i I.
Me besim se me përzgjedhjen e z. Aleksander Lumezi është “vra dhjetëshja” (që, për mua kjo punë veç duhej të ishte e kryer – me të si fitues moral e demokratik), atij i përcjell urimin tim: Quod bonum, felix, faustum, fortunatumque sit (Detyra pra, të qoftë me mirësi, me fat, me bekim dhe me bereqet). Ashtu qoftë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat