Protestoi në Bruksel për vendimin e UEFA-s

Diaspora

Protestoi në Bruksel për vendimin e UEFA-s

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 15:08

Daniel Njebza, 23 vjeç, është një emigrant nga Shkodra, i cili prej dy vjetësh jeton dhe punon në Bruksel, Belgjikë. Si çdo shqiptari edhe Danielit vendimi i UEFA-s për ndeshjen Serbi – Shqipëri iu duk i padrejtë. Por në ndryshim nga shumë shqiptarë të tjerë si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ai zgjodhi të protestojë në mënyrë paqësore për të kërkuar që e drejta të vihet në vend. I vetëm, i veshur kuq e zi, me një pankartë në duar ai protestoi përpara selisë së Komisonit Europian.

Përse protestove përballë Komisonit Europian?

Protestova për ndeshjen e luajtur në Beograd mes skuadrës Serbe dhe asaj Shqiptare, e cila u ndërpre për shkak të dhunës në stadium atë natë. Isha në pritje si çdo shqiptar tjetër kudo brenda dhe jashtë vendit. Kur mora vesh se kombit tonë iu dha “shkelmi i radhës” vendosa të mos rri “duar kryq”. Gjëja e parë që bëra telefonova disa të njohur këtu në Bruksel që të dilnim në protestë paqësore kundër këtij vendimi absurd ndaj një populli fisnik dhe të vuajtur. Fatkeqësisht përgjigjet që mora ishin negative. Në fakt këto përgjigje i prisja, por kishte dhe nga ato më qesharaket si: “Ka kush merret me këto punë”. Gjithsesi vendosa të shkoj edhe i vetëm fare. Shkrova një pankartë të thjeshtë në Anglisht ku thuhej: “Zotëri Platini dhe ju Europë! Unë nuk jam një bombë, por unë jam një nga kombet më të vjetra dhe më fisnike të Europës. Mos na vrasin si gjithmonë”. Pasi mbërrita afër godinës së Komisonit Europian me pankartë në duar u afruan disa njerëz dhe menjëherë mora përkrahje nga origjina të ndryshme që nuk kishin lidhje fare me vendin tonë.

Çfarë ndodhi më pas kur mbërrite atje?

Në ato momente kur policet panë bluzën time kuq dhe zi me shqiponja në mes, direkt u afruan dhe më ndaluan. Më shoqëruan në stacionin më të afërm të policisë ku për gjashtë orë më mbajtën në pyetje. Pyetjet ishin nga më të ndryshmet . Unë u shpjegova që duke marrë shkas nga vendimi absurd dhe politik i UEFA-s vendosa të protestoj paqësisht, për të dhënë kontributin tim kundra ati diskriminimi që po i bëhet vendit prej nga unë vij. Pastaj më lanë të lirë me detyrim paraqitje. Edhe pse i vetëm aty, dua të shpreh një falenderim me përuljen time më të madhe çdo shqiptari për përkrahjen, mbështetjen dhe respektin që më kanë dhënë dhe vazhdojnë të më japin. Nga Publikimi i lajmit e deri në këto momente. Shqiptarët u njohën me gjestin tim pas publikimit të fotos time në faqen e humoristit shqiptar Julian Deda.

Si e përjetove momentin kur në ekran u shfaq droni me simbolet kombëtare?

Ndeshjen e kam ndjekur në shtëpinë time. Shfaqja e banderolës me simbolet kombëtare më ngjalli një emocion të pa imagjinueshëm, por edhe frikën e asaj që do të ndodhte pastaj.

Mendoni se federata shqiptare ka vepruar si duhet në këtë situatë?

Për mendimin tim çdo institucion shtetëror përfshirë dhe federatën tonë mundohen të kenë qëndrime korrekte. Por federata jonë bëri një “gabim” në mbledhjen e fakteve për t’i dërguar pranë komisionit të disiplinës. Unë mendoj se provat duheshin nisur nga para fillimit të ndeshjes, ku tifozët bënin thirrje nacionaliste si: “Kosova është Serbi”, “Vrisni Shqiptarët”. Por, edhe fishkëllimi i himnit, hedhjet e sendeve të forta në fushë e deri te hyrja e tifozëve dhe dhunimi i lojtarëve, përfshirë këtu edhe personat të cilët, ishin përgjegjës për sigurimin në stadium.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat