Prendush Gjon Gega (Tetor 1916 - Tetor 2014), një mik dhe humanist i dashur i komunitetit shqiptaro-amerikanë

Diaspora

Prendush Gjon Gega (Tetor 1916 - Tetor 2014), një mik dhe humanist i dashur i komunitetit shqiptaro-amerikanë

Nga: Tomë Mrijaj Më: 30 tetor 2014 Në ora: 08:49

Miqësia e hershme dhe e ngushtë, midis pukjanit të mirënjohur Prendush Gjon Gegës dhe shkodranit të famshëm, shkrimtarit Ernest Koliqi, zë fill qysh në Itali.
Ish Ministri i Arsimit të Shqipërisë, profesori i shquar dhe prozatori brilant Ernest Koliqi (1903-1975), në revistën “Shejzat”, tribunë e mendimit pluralist të intelektualëve shqiptarë në emigracion, përmend si shembull model, në një artikull vlerësues, Prendush Gjon Gegën, këtë burr fisnik, me zemër të bardhë dhe shumë humanist, me të gjithë emigrantët politikë shqiptarë, pa dallim feje dhe krahine, të cilët, ishin vendosur në Itali, nën përkujdesin e Qeverisë Italiane dhe organizatave bamirëse ndërkombëtare, në mbrojtje të popujve të robëruar nga rregjimet diktatoriale komuniste…
Kushdo, që e ka njohur nga afër dhe i ka kërkuar ndihmë, gjatë periudhës së vështirë të arratisjes dhe vendosjes së emigraconit politik shqiptarë në ish Jugosllavi dhe më pas në Belgjikë, Itali etj., dhe deri në SHBA, ka ndjerë bujarinë dhe kontributin e madh të njeriut të palodhur shpirtmirë Prendush Gjon Gegës.
Plot një shekull jetë dhe nga këto 50 vjet Prendushi do t’i kaloj në emigracion dhe pjesën më të madhe në ShBA. Të gjithë e thërrisnin në shenjë respekti si baci ose Prendush Gjon Gega i Pukës, në Kosovë, Itali dhe New York.
Ai gjithnjë kishte mall për vendlindjen dhe familjen e tij, që e la në Shqipëri. Pukjani Gega, ishte i ri në moshë, kur u arratis bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes dhe katundit të tij, si pasojë e përndjekjeve të sistemit antishqiptar komunist, që instalohet dhunshëm në vendin e shqiponjave.
Ai la emër të mirë kudo që shkoj, takoj njerëz në nevoj, duke mos kërkuar asnjëherë shpërblim nga askush, por Zoti, të cilin e besonte me shpirt, ia shpërblej njeriut të mirë, duke i falë atij jetëgjatësi deri në 100 vjeç… dhe sot e ka në krahët e Tij në jetën e amshuar...
Kalvari i arratisjes nga regjimi i hienave komuniste
98 vite më parë në Bugjon të Pukës çiftin e ri Gjonin dhe Dilen, i gëzoj Zoti me një djalë të bukur, të cilin e pagëzuan me emrin Prendush. Ai u rrit i lumtur, me një dashuri të madhe dhe përkujdesje të veçantë nga prindërit. Kjo familje do të zgjerohet më vonë edhe me katër djem të tjetër njeri mbas tjetrit: Gjinin, Smajlin, Nduen dhe Pjetrin.
Sikurse shumë miq, bashkëvendas dhe antikomunistë të tjerë asokohe, që luftonin dhe kundërshtonin hapur rregjimin barbar komunist, Prendush Gjon Gega, me dy vëllezërit e tij Gjinin dhe Nduen, lanë me lot dhe dhimbje në shpirt vendlindjen e të parëve të tyre, familjen, fëmijët e vegjël, drejt një rruge plot shpresë, në drejtim të botës Perëndimore. Por jo gjithçka do të shkojë, sipas mendimit dhe ëndrrave të tyre.
Ata për shumë muaj enden nëpër malet e thepisura të malësive të Veriut të Shqipërisë, në ditët me borë dhe ngrica, duke mos pasur me vete as ushqime dhe veshmbathje të mjaftueshme.
Nga ana e tjetër, komunistët (Forcat Speciale të Ndjekjes së Sigurimit, shënimi im T.M.), mendonin se ata kishin kaluar kufirin, por në fakt, sikurse më ka treguar shumë herë Prendushi dhe miqtë e tij, ata gjendeshin në malet e Shqipërisë…
Forcat e Ndjekjes të Tiranës së kuqe zyrtare, asokohe kishin lëshuar urdhër arrestimi dhe ofruar shperblime me të holla, për çdo përson që jepte informacione, se ku ndodheshin njerëzit e arratisur nga Puka.
Menjëherë hafijet e ndjekjes, sapo ishin njoftuar nga spiunët trathtarë, se vëllezërit Gega kishin dalur në male, për të luftuar komunizmin, rregjimi në shenjë hakmarrje kishte arrestuar familjet e tyre, të cilët, i dërgojnë me makine pa rroba dhe mjete të tjera të nevoshme për jetesë, në burgjet dhe kampet e përqendrimit, ku, kaluan vuajtje plot kalvare të mundimshme, që zgjatën deri me rrëzimin e komunizmit, në vitin 1990...
Kështu, sapo Prendushi me vëllezër dhe të afërm të tjerë nga Bugjoni i Pukës mbërrijnë në ish Jugosllavi, UDB-ja jugosllave, për një kohë të gjatë, i marrin në pyetje nga frika se ata mund të sjellin trazira nacionaliste në Kosovë e gjetkë.
Prendushi, një ditë largohet nga Kosova dhe me familjen e të vëllait vendoset në Belgjikë dhe mbas disa vitëve kalon në kampet e refugjatëve ndërkombëtare në Itali.
Këtu, ai falë ndershmërisë dhe sinçeritetit, vlerësohet shumë nga eprorët, që merreshin me çështje të emigracionit, të cilët, i besojnë detyrën e ndihmësit, për ndihmën e pare, që ai duhet t’u jepte emigrantëve shqiptarë, që vinin çdo ditë në këto kampe. Ai, pa asnjë interes dhe me ndërshmeri të lartë kryente detyrën e besuar, duke ndihmuar me mijëra emigrantë bashkëvendas, pa dallim feje dhe krahine.
Në disa kampe të refugjatëve politikë, ku, bënin pjesë edhe shqiptarët në Itali, Prendushi iu gjend pranë njerëzve në nevoj, familjeve dhe individëve, që kishin marrë udhën e vështirë të emigracionit, për një jetë më të mirë dhe larg dhunës dhe shfarosjeve politike komunisto-ateiste në Shqipëri dhe Kosovë.
Sëbashku me klerikun e nderuar Dom Prek Ndrevashaj, famullitar, i komunitetit shqiptar në Itali dhe sëfundi deri sa kaloi në jetën e amshuar, ishte si famullitar i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja Pajtore” në Detroit, Michigan, Prendushi ndihmoj me dhjetra emigrantë bashkëatdhetarë, për të plotësuar dokumentet, për të ardhur në Tokën e Bekuar të SHBA-së.
Njohja me njeriun e mirë Prendush Gjon Gega
“Burra të ndershëm si Prendush Gjon Gega i Pukës, janë krenari për ne. Ai nuk mungon asnji të diele të vij në Kishë, që të marrë pjesë me plot zemër në meshën e shenjt dhe ndihmon me shumë bujari nga zemra të gjithë pa dallim feje e krahine. Prendushi, respekton shumë traditën e familjes dhe zonës nga ka ardh në New York, sëbashku me të afërmit e tij… Me bujari, ka ndihmue financiarisht edhe revistat kulturore fetare e sidomos revisten “Drita” në Ferizaj të Kosovës…”
Dr. Mons Zef Oroshi (1912-1989)
“Jeta Katholike Shqiptare” (1966), New York
Aktivistin e palodhur të komunitetit tonë këtu në New York Prendush Gjon Gegën e njoha 30 vjet më parë, ku, nga ajo ditë mbetëm miq të pandarë..
Për mua, ka qenë i paharruar takimi i parë, ku, zhvilluam një bisede tepër të ngrohtë dhe shumë miqsore, me këtë njeri të ndershëm dhe shumë të veçantë, me një botë shpirtërore të madhe atdhedashurie dhe përkushtim fetarë, si model dhe shembull, për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikanë.
Mbaj mend, nga kujtimet e kumbarës së fëmijëve të mi Mons Oroshit, se Prendushi, ishte i pari që në fillim të çdo viti (më 1 janar), paguante hakun në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” e i kushtonte sëpakut një ditë punë falas, për kujdesin e kopshtit të luleve në oborrin e Kishës sonë.
Gjatë netëve të gjatë të dimërit, në shtëpinë e tij, qëndronte me orë të tëra, duke bashkëbiseduar me miqtë e shumtë, midis të cilëve, ishin: juristi Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku, të cilin e kishte njohur qysh në Itali, kur ishte emigrant; mikun e tij të dashur Dr. Mons Zef Oroshi (1912-1989), aktivistin e shquar dhe personalitetin e madh të çështjes shqiptare Dom Anton Kçirën, dhe shumë miq të tjerë nga Mirdita, Puka, Shkodra dhe trojet etnike shqiptare, sidomos gjatë përkujtimit të festës fetare të Shën Sebastjanit (Sh’Masjanit), të cilin e lute sipas traditës në vendlindje çdo vit më datën 19 janar...
Ai ishte shumë i gëzuar, që shtëpia e tij ishte e mbushur plot me miq, njësoj sikur të ishte në Bugjon të Pukës. Atë natë të madhe dhe shenjte, Prendushi, qëndronte deri në orët e vona të natës, duke u shërbyer dhe biseduar ngrohtësisht me miqtë e tij. Aty trajtoheshin tema të ndryshme të së kaluarës në vendlindje dhe familjet e tyre, në burgjet e tmerrshme të vdekjes dhe kujtimet në kampet e përqendrimit, ku, endeshin pjesëtarët e shumtë të familjeve të tyre, një plagë e hapur, që rridhte gjak e dhimbje, për çdo emigrant shqiptarë…
Shumë herë, kur meshtarët e huaj dhe shqiptarë, që gjendeshin në emigracon, vizitonin Kishën Shqiptare në New York dhe meshtarin e përkushtuar, shkrimtarin dhe përkthyesin Dr. Mons. Zef Oroshin, pukjani Gega, gjithashtu bisedonte me orë të tëra me italianin e shqiptarizuar tërësisht, meshtarin enciklopedist At Giacomo Gardini S.J., (që në Shkodër njihej me emërin Jak, të cilin rregjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha e futi në burg për dhjetë vjet 1945-1955, shënimi im T.M.). Ai e kishte njohur At Jakun qysh në kampet e refugjatëve në Itali, kur meshtarët italinë dhe shqiptarë përkujtonin persekutimin komunist të Klerit Katolik në Shqipëri…
Gjithashtu Prendushi, ishte mik me studiuesin e shquar të figurës poliedrike të At Gjergj Fishtës O.F.M., kapelanin apo klerikun e komunitetit shqiptar në Itali At Danjel Gjeçaj O.F.M., Dom Prek Ndrevashaj, dhe miqtë e tjerë të tij, si: Kapidanin e Mirditës Gjonin e Markagjonit, ish Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë Kolë Bibë Mirakajn, Prof. Kal Gurakuqin, Prof. Martin Camaj, Prof. Rexhep Krasniqin, Prof. Zef Nekën, Kryetarin e Lidhjes së Prizrenit Ing. Xhafer Devën, Abaz Kupin, Kolë Bajraktarin, Gjelosh Balajn me vëllezër, Fran Sokolin, vëllezërit Gjon dhe Zef Çupin, Llesh Markadodën, Dodë Gegën, Mark Zogun, parashutistin antikomunist Kolë Çunin, Kolonel Xhemal Laçin, Met Bajraktarin, Imam Isa Hoxhën, Musli Mulosmanin, Fran Kolën, Ndue Ademin me vëllezër, Dedë Ndrecën, Pjetër Tushën, vëllezërit Lazër e Gjokë Berishën, Engjell Zagredën, Ndoc Popajn (babain e meshtarit të nderuar Dom Pjetër Popaj), Shtjefen Gazivodën, Gjeto Curanajn e shumë e shumë të tjerë.
Prendushi, ishte vetë historia e krahinës nga ai vinte. Fliste me shumë respekt, për histori të mbushur me ngjarje, personazhe të moçme, të cilët, i kishte dëgjuar dhe mësuar nga gjyshi dhe babai i tij Gjoni. Ishte fëmija i parë dhe babai Gjon e mbante afër dhe e trajtonte si shok dhe vëlla, mbasi kishte parë tek ai njeriun e zgjuar, gjakftohtë, fjalëmbël, bujar dhe fisnik në shpirt etj. Këto cilësi pozitive, ai i trashëgoi nga prindërit e tij, që ishin të nderuar dhe respektuar në të gjithë krahinën e Pukës.
Portreti i tij fizik dhe shpirtëror, ishte i veçantë, në të gjithë shqiptarët e emigracionit në New York asokohe. Ai ishte i pashëm, me një shikim të butë, ku, në sytë e tij lexohej butësia dhe vuajtjet e popullit të tij.
Ishte i gjatë si lisat e bjeshkëve të Pukës nga ku ai lindi e u rrit, krenar për historinë e familjes së tij. Kurdo, që njerëzit shkonin për të biseduar me te, ai kishte një mirësjellje të veçantë, i qetë për nga natyra, shumë i matur për nga dituria, i sprovuar burrërisht nga dallgët e jetës plot halle dhe mbijetesë, në oqeanin e pafund të emigracionit, i vendosur në karakterin e fortë të tij, zemërgjerë për nga shpirti, fisnik dhe bujar me të gjithë në çdo kohë dhe rrethanë.
Prendushi, ishte një atdhetar dhe fetar i përkushtuar.
Kosova vendlindja e dytë e tij
Kosova, ishte bërë vendlindja e dytë e tij. Aty kaloi një pjesë të mirë të kohës i rrethuar me dashuri dhe respekt nga të gjithë vendasit në Dumnicë të Llapit (Komuna e Podujevës). Gjithnjë sillte kujtime dhe mbresa nga ato treva, që ende jetonin nën shtypjen dhe shfrytëzimin e kolonizatorëve shumë shekullorë serb.
Një natë dimëri, gjatë përkujtimit të përvitshëm të festës së Sh’Masjanit, këtu në New York, Prendushit, i drejtoheshin pyetje nga miqtë e shumtë, në sofrën e madhe në shtëpinë e tij.
Një nga miqtë i bri një pyetje interesante, duke e ditur se Prendushi, do të përshkruante ngjarjen me një humor të hollë, karakteristikë e sitlit të tij, gjatë rrëfimeve reale historike.
“I dashtun Prendush, na trego të lutem, çfarë të ndodhi kur kalove nepër aren e serbit në stinën e dimërit me dëborë!?”
Ai, me një humor të spikatur, nisi të tregoj ngjarjen, që i kishte ndodhur asokohe. “Ishte një dimër i ashpër me dëborë e ngrica dhe bënte shumë ftohtë. Unë, mendova të gjej një rrugë më të shkurtër, për të dalë në rrugën krysore, që të qonte drejt qytetit. Një kojshi, duke qeshur më tha: O lum miku, mos kalo në atë anë se asht ara e shkaut…”
Prendushi, sërisht duke buzëqeshur i përgjigjet menjëherë: “Jo! Kjo asht toka e jonë!”
Shkau, duke e ditur shumë mirë gjuhën shqipe, ka shkuar menjëherë të raportojë në Policinë e vendit.
Mbas disa ditëve, në shtëpi të Prendushit vjen një letër, ku, thuhej se ai duhet të paraqitej urgjentisht në Gjykatën e Qarkut. Ai në ditën e caktuar paraqitet në gjykatë, në orën 9:00 të mëngjesit. Tërë ditën kishte pritur në koridor dhe nga ora 3:00 pasdite, Shefi i UDB-së Nazmi Kursani e kishte marrë në pyetje. Ai me nervozizem i është drejtuar Prendushit, duke i thënë: “A ke ardh këtu për ta shpëtue kokën a për të nda kufijtë!? Kësaj radhe po të lë të lirë të shkosh në shtëpi. Nëse ban nji gabim edhe ma të vogël do të kthejmë tek ai gjelati i juaj (është fjala për diktatorin Enver Hoxha, shenimi T.M.) ose do të lësh kockat në burgjet tona…”
Të tillë episode historike ka pasur shumë gjatë jetës së tij Prendush Gjon Gega, ku, mund të shkruhen libra të tërë me kujtime… Shumë miq të tij këto ngjarje reale i kanë marrë si humor, në netët e gjatë të dimrit…
I paharruari Prendush Gjon Gega, me nderime dhe respekt të madh u përcoll me dhimbje, këto ditë për në banesën e fundit, i rrethuar nga qindar miq, shokë dhe dashamirë të shumtë nga vendlindja, Shkodra, Lezha dhe ShBA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat