​Shqipëri-Kosovë, konsullatë e përbashkët në Milano‏

Diaspora

​Shqipëri-Kosovë, konsullatë e përbashkët në Milano‏

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 21:48

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati pasditen e sotme ka pritur në një takim homologun e tij nga Kosova, Enver Hoxhaj. Të dy ministrat, sot do të nisen për në Milano, për të marrë pjesë nesër në inaugurimin e hapjes së një konsullatë të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Në konferencën për shtyp që mbajtën pas takimit ata theksuan se në fokus të diskutimit mes tyre ka qenë lufta kundër terrorizmit për të cilën ministri i Kosovës tha se janë marrë masa dhe vendime të rëndësishme.
"Biseduam për vendimet, veprimet të cilat i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në luftën kundër terrorizmit, për të cilat ne kemi pasur një bashkëpunim dhe koordinim të mirë me Tiranën zyrtare por dhe me shumë partnerë të tjerë relevantë ndërkombëtarë. Do të jemi të pakompromis me një betejë të tillë kundër terrorizmit ndërkombëtar. Besoj se ajo çka po ndodh aktualisht në Lindjen e Mesme mund të ketë efekte edhe për rajonin e Evropës Juglindore," tha Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm i Kosovës.

Por një tjetër çështje e prekur gjatë diskutimit mes dy homologëve ishin edhe konkluzionet e konferencës së Berlinit, dhe mbështetja që Shqipëria ka dhënë dhe do të japë për të ndihmuar Kosovën në anëtarësimin e saj drejt organizmave të shumta evropiane dhe ndërkombëtare. Bushati foli edhe për konsullatën e re në Milano si një zotim të marrëveshjes së nënshkruar së bashku, Shqipëri-Kosovë.

"Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e një raporti të institucionalizuar të NATO-s me Kosovën. Është kënaqësi për ne që të konstatojmë që Qeveria në Kosovë është në krye të të gjitha zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare kryesisht bashkëpunimi me të gjitha agjencitë ndërkombëtare, pavarësisht vështirësive që ka Kosova në luftën ndaj terrorizmit. Sot së bashku me kolegun Hoxhaj do të udhëtojmë për në Milano ku nesër do të kemi fatin dhe kënaqësinë të përurojmë edhe konsullatën e re shqiptarë në Milano, e cila është një prej zotimeve tona në partneritetin strategjik, dhe në marrëveshjen e nënshkruar së bashku. Një konsullatë e cila do t'iu shërbejë shqiptarëve me kontributin tonë dhe të Qeverisë së Kosovës," tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati.

Duke u ndalur këtu ministri Hoxhaj bëri publike faktin se Kosova me ndihmën e Shqipërisë është anëtarësuar në tre organizma të rëndësishme ndërkombëtare, që pritet të ndihmojnë jo vetëm në përpjekjet për liberalizimin e vizave, por edhe më gjerë. Gjithashtu Hoxhaj shtoi se që nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Prizren e deri më tani janë impelmentuar gati 90 % e vendimeve të marra.

"Njëra prej pikave të këtij partneriteti strategjik ka qenë që Kosova të ndihmohet në anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme. Sot në Tiranë mund të konfirmoj me mburrje që jemi anëtar të organizatave më të mëdha të Evropës Juglindore falë mbështetjes së Shqipërisë por edhe shteteve të tjera të rajonit; kështu jemi bërë anëtarë të organizatës MARI që merret me migrimin ilegal, dhe që është kyç për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, jemi bërë anëtarë të Komisionit të Venedikut që është pjesë e Këshillit të Evropës. Sot dua t'ju them edhe se prej atyre vendimeve që janë marrë në mbledhjen e Prizrenit, 90 për qind të tyre janë implemetuar, janë jetësuar, janë zbatuar deri më tani. Ajo se çfarë ka ndodhur në Prizren kanë qenë vendime të menduara që duhen zbatuar në vitin 2014, por mendoj që ka ardhur koha që këtij partneriteti t'ia ofrojmë një përmbajtje 5-vjeçare ndoshta 10 vjeçare se si do ju duken relacionet Kosovë-Shqipëri," tha më tej ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat