Plagosi me thikë 3 persona, autori flet pas dorëzimit në polici: Vetë më provokuan. Italiani më mori në punë dhe nuk më dha pagesat

Diaspora

Plagosi me thikë 3 persona, autori flet pas dorëzimit në polici: Vetë më provokuan. Italiani më mori në punë dhe nuk më dha pagesat

Më: 5 prill 2023 Në ora: 10:43
Foto nga vendngjarja

Vetëdorëzohet në polici autori i plagosjes së rëndë në Laprakë, Elton Mergjyshi, 40 vjeç.

Efektivë të Komisariatit Nr. 3 kanë marrë dëshmitë e 2 prej të plagosurve mbrëmjen e së hënës në Laprakë, 40-vjeçares Roxhersa Rrapollari dhe bashkëshortit të saj italian, për të zbuluar dinamikën dhe motivet e ngjarjes. Ata kanë treguar se autori Elton Mergjyshi sapo kishte shkuar te lokali ku ndodheshin, fillimisht ka debatuar me italianin duke i kërkuar llogari pse e kishte hequr nga puna.

Në debat e sipër ka nxjerr thikën dhe ka plagosur fillimisht 64-vjeçarin Viktor Rrapollari, pasi ka dashur të ndërhyjë për të qetësuar situatën. Sipas dëshmisë së vajzës së tij, ka treguar se kur ka parë të atin të plagosur ka ndërhyrë dhe në këtë çast agresori e ka qëlluar edhe atë në dorë. Më pas Mergjyshi ka plagosur në kraharor italianin Massimo Sorvillo, i cili e kishte marrë me qira lokalin ku ndodhi ngjarja.

47-vjeçari italian ka marrë automjetin e tij me targa italiane dhe ka shkuar vetë në Spitalin e Traumës bashkë me bashkëshorten dhe të atin e saj e saj. Dëshmia e 64- vjeçarit Viktor Rrapollari nuk është marrë ende nga grupi hetimor pasi është në gjendje më të rëndë se dy të plagosurit e tjerë. Vetë italiani Sorvillo ka deklaruar për Policinë se e kishte pushuar pasi nuk i pëlqente puna e tij.

Rrëfimi i autorit

Në dëshminë e dhënë para policisë, Elton Mergjyshi i njohur ndryshe me emrin Altin Mergjyshi (Deda) u shpreh se nuk kishte pasur qëllim sulmin me thikë duke shtuar se ishte provokuar nga tre të plagosurit. Sa i takon shkakut të konfliktit, Mergjyshi ka pretenduar se e ka ndihmuar italianin Massimo Sorvillo për ngritjen e punishtes së bulmetrave që e kishte hapur së fundmi.

Sipas tij, kishte shkuar disa herë edhe në Itali për t’i blerë dhe sjell pajisje për punën dhe për këto nuk ka marrë pagesa pasi është hequr nga puna. Në momentin që është dorëzuar para hetuesve në policinë e Tiranës, Elton Mergjyshi është marrë në pyetje për plagosjen e tre personave ditën e hënë në një lokal të Laprakës. Autori i njohur ndryshe me emrin Altin Mergjyshi Deda tha se nuk ka dashur të plagosë asnjërin prej personave por shtoi se kishin qenë ata të cilët e kishin provokuar kur po kalonte pranë lokalit dhe më pas nisi sherri.

Hetimet

Referuar të dhënave të Policisë së Tiranës bëhet me dije se janë siguruar një mori dëshmish që do të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes së rëndë që ndodhi në zonën e Laprakës pasditen e së hënës. Dyshohet se konflikti ka gjeneruar në përdorimin e thikës nga ana e autorit për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë pasur me shtetasin italian, i cili rezultonte të ishte edhe sipërmarrës i një punishteje bulmeti në vendin tonë, ndërkohë që lokalin në të cilin ndodhi edhe ngjarja italiani, ish-pronari i autorit, e kishte me qira, pra e menaxhonte vetë. Ende nuk dihet se sa është shuma e pagës që i detyrohet autorit të sulmit por do të jenë organet hetimore që do të verifikojnë të gjitha praktikat e marrëdhënies pronarpunonjës për të mësuar të vërtetën mbi konfliktin që desh përfundoi në tragjedi për familjen Rrapollari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat