Në vigjile të pesë vjetorit të themelimit të Lobit Euro – Atlantik Shqiptar

Diaspora

Në vigjile të pesë vjetorit të themelimit të Lobit Euro – Atlantik Shqiptar

Nga: Shukri Imeri Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 17:51
Shukri Imeri

Të nderuar bashkatdhetar,

Meqë jemi në vigjile të pesë vjetorit të themelimit të Lobit Euro – Atlantik Shqiptar, vendosëm që Mërgatës dhe opinionit të gjërë mbarshqiptar, t’ua përkujtojmë dhe prezentojmë edhe njëherë organizatën tonë.

Me iniciativën e disa bashkatdhetarëve të një spektri të gjërë intelektual dhe aktivist të edukuar në frymën kombëtare, u vendos që Mërgata shqiptare të organizohet në një organizatë, në të cilën do të përfaqësoheshin të gjitha trojet shqiptare. Respektivisht bashkimi dhe organizimi i Mërgatës shqiptare u bë domosdoshmëri e kohës, sepse kontributi i saj për zhvillimet aktuale në shtetet tona amë u bë kusht i rëndësishëm për integrimet europiane.

Fillimisht u themeluan Degët e Lobit Euro – Atlantik Shqiptar nëpër shumë shtete të Europës, sikurse në Gjermani, Norvegji, Belgjikë, Austri, Zvicër, Suedi e tjera, të cilat e morrën iniciativën që këtë organizatë t’a strukturojnë dhe organizojnë duke konvokuar mbledhjen e parë konstitutive për themelimin e Lobit Euro – Atlantik Shqiptar në nivel të Globit.

Kjo ndodhi me 17 Dhjetor të vitit 2016 në qytetin Lörrach të Gjermanisë, ku ishin bërë edhe përgatitjet e para për këtë event. Në këtë Asamble morrën pjesë të gjithë përfaqësuesit legjitim të Degëve nga shtete të ndryshme, të cilët në mënyrën më demokratike zgjodhën strukturat udhëheqëse. Në këtë Kuvend në mënyrë legjitime u zgjedh Kryesia, kryetari, sekretari, arkatari, u miratua Statuti, Platforma dhe komisionet e organizatës.

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar është organizatë vullnetare, mbarëkombëtare dhe gjithëpërfshirëse e Mërgatës shqiptare, kudo që ajo jeton,punon dhe vepron, me karakter ndërkombëtar, që qëllim kryesor ka bashkimin dhe organizimin e Mërgatës nën një strukturë të qëndrueshme dhe të përbashkët veprimi, pa marrë para sysh gjininë, fenë apo përkatësinë politike.

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, shkurtimisht LEASH, është një kulm i përbashkët organizativ për një Mërgatë shqiptare të bashkuar dhe të fuqishme.

LEASH-i është organizatë që synon lobimin e interesave shqiptare brenda dhe jashtë shteteve ku Mërgata shqiptare jeton dhe vepron.

Lobimi zhvillohet nëpër organizata, biznese, institucione, institute dhe organizma lokale, regjionale, kombëtare dhe ndërkombëtare sikurse në Unionin Europian, Këshillin e Europës, Kombet e Bashkuara, Qeveritë, Parlamentet, dhe qendra tjera të interesit.

Kuptohet se Mërgata shqiptare gjithnjë ka qenë e organizuar nëpër shoqata, klube apo asociacione të ndryshme, por aktivitetet e tyre kanë patur një shtrirje me karakter lokal, për shembull në suaza të një qyteti, kurse LEASH-i është një Mega Projekt që organizon Mërgatën nëpër të gjitha shtetet dhe Kontinentet ku ata jetojnë, punojnë dhe veprojnë, d.m.th. se bëhet fjalë për një organizim të strukturuar mirë dhe të qëndrueshëm.

Lobi Euro Atlantik Shqiptar  angazhohet për përfshirjen e njerëzve profesinist të fushave dhe profileve të ndryshme, biznesmen, intelektual dhe bashkatdhetarë të dëshmuar për kauzën kombëtare. Këto resurse njerëzore do të angazhohen për realizimin e projekteve, programeve, planeve dhe aktivitete të ndryshme që janë në interes kombëtar e që kanë për qëllim fuqizimin mbarëkombëtar të mërgatës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Lobi Euro – Atlantik Shqiptar punon dhe i kushton rëndësi të veçantë integrimit të Mërgatës shqiptare nëpër institucionet e të gjitha niveleve në shtetet ku ata jetojnë dhe veprojnë. Lidhur me integrimin e Mërgatës, LEASH-i po ashtu lobon edhe në instucione dhe organizma ndërkombëtare në Europë dhe jashta saj.

Integrimi i Mërgatës nëpër strukturat shtetërore ku ata jetojnë dhe veprojnë do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në kontributin e tyre sa më të organizuar dhe profesional në ngritjen e nivelit të veprimit të Mërgatës.

Aktivitetet ekonomike zënë një vënd të rëndësishëm, sepse përmes projekteve të ndryshme do të investohet në trojet shqipëtare. Këto investime do të ndikojnë  në zbutjen e papunësisë si dhe në parandalimin e shpërnguljes të shqiptarëve.

Anëtarët e LEASH-it si pikësynim kryesor e kanë bashkimin e Mërgatës shqiptare në frymën kombëtare me koncepte të reja, duke krijuar një rrjet të struktururar të organizimit në nivel mbarëkombëtar, sepse një Mërgatë më e bashkuar, do t’i fuqizonte edhe më tepër proçeset dhe do të kontribuonte konform kërkesave dhe nevojave të kohës.

Në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit  punohet në ngritjen e kuadrove të nevojshme të cilët më vonë me sukses do të angazhohen për fuqizimin e çështjes kombëtare, po ashtu LEASH-i ndërmirr aktivitetet për ruajtjen e vlerave dhe trashigimisë tonë kombëtare duke i prezentuar dhe afirmuar ato në arenën ndërkombëtare.

Gjatë aktivitetit pesëvjeçar Lobi Euro – Atlantik ka zhvilluar shumë vizita zyrtare në institucionet e Shqipërisë, Kosovës dhe më gjërë. Në mënyrë permanente kami qenë prezent në të gjitha institucionet e BE-së përmes shkrimeve tona, në të cilat kemi trajtuar të gjitha çështjet që janë në interes për shtetet tona amë, sikurse liberalizimin e vizave për Kosovën, kundër ndarjes së Kosovës, kundër Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, për integrimin e Shqipërisë në BE-në si shumë çështje tjera të rëndësishme.Po ashtu LEASH-i ka organizuar akademia përkujtimore, kemi promovuar libra të anëtarëve tonë, kemi vizituar shumë Ambasada tona nëpër Europë, vazhdimisht kemi qenë prezent nëpër televizione të ndryshme, si dhe shumë aktivitete tjera, të cilat nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen.

Në këtë përvjetor, në mënyrë solemne iu bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë, të n’a bashkangjiten, të bëhen pjesë e jona, sepse sa më të bashkuar jemi, aq më të fuqishëm do të bëhemi.

Po ashtu shfrytëzojmë rastin, që të gjithë bashkatdhetarëve tanë, kudo që janë, t’ua urojmë festat e fundvitit si dhe Gëzuar Vitin e Ri 2022.

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë dhe shtetet tona amë.

Kryesia e Lobit – Euroatlantik Shqiptar,

Kryetar, Shukri Ymeri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat