Pompeo nis detyrën me presion Turqisë

Bota

Pompeo nis detyrën me presion Turqisë

Më: 28 prill 2018 Në ora: 23:53
Mike Pompeo

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin për marrëveshjet ushtarake mes Turqisë dhe Rusisë. Pas konfirmimit në Senat, sekretari i Shtetit Mike Pompeo i ka kërkuar homologut turk të tërhiqet nga blerja e raketave “S-400”.

Një ditë pas marrjes së detyrës, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka udhëtuar drejt Brukselit, për të ndjekur punimet e samitit të ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO’s. Në një takim me homologun turk, Pompeo ka shprehur shqetësimin për blerjen e raketave ruse tokë-ajër nga Ankaraja, duke argumentuar se nuk përputhen me kapacitetet mbrojtëse të NATO’s.

Një burim i afërt me shefin e diplomacisë amerikane ka bërë me dije se Pompeo i kërkoi ministrit Çavushoglu që të këtë përparësi sistemet ndëroperative të NATO’s. Gjithashtu, sekretari i Shtetit ka ngritur shqetësimin e Uashingtonit për burgimin e pastorit amerikan Andrew Brunson, që ndodhet në një burg të Turqisë që prej dhjetorit të vitit 2016, si dhe për shtetas të tjerë amerikanë të arrestuar.

Dhjetorin e kaluar Turqia nënshkroi një marrëveshje me Rusinë për blerjen e raketave “S-400”, për të forcuar kapacitetet e saj ushtarake përballë kërcënimit të militantëve kurdë dhe atyre islamikë, si dhe për t’iu kundërpërgjigjur konflikteve në Siri e Irak. Ky veprim i Ankarasë zyrtare ka shqetësuar vendet anëtare të NATO’s, që nga ana tjetër i druhen pranisë ushtarake të Moskës në Lindjen e Mesme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat