E quan “një njeri i madh” – Trump i gatshëm të rinovojë aleancën konservatore me Orban të Hungarisë

Bota

E quan “një njeri i madh” – Trump i gatshëm të rinovojë aleancën konservatore me Orban të Hungarisë

Më: 26 prill 2024 Në ora: 15:19
Foto nga takimi

Donald Trump është gati të rinovojë një aleancë konservatore me kryeministrin nacionalist të Hungarisë Viktor Orban, tha të premten në një video-mesazh kandidati republikan për president të SHBA-së.

Orban ka qenë një nga aleatët më të afërt të Trump në Evropë, ku komentet e ish-presidentit të SHBA-së që sugjeronin se ai nuk do të mbronte vendet që dështuan të përmbushnin angazhimet e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes, kanë ngritur shqetësime mes liderëve.

Një presidencë e re e Trump mund të lehtësojë marrëdhëniet e SHBA me Hungarinë, e cila është kritikuar nga Uashingtoni për lidhjet e saj të ngushta me Rusinë dhe zvarritjen e ratifikimit të pranimit të Suedisë në NATO, për të cilën Budapesti ra dakord përfundimisht në shkurt.

“Mezi pres të punoj ngushtë me kryeministrin Orban edhe një herë kur të bëj betimin si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara”, citohet të ketë thënë Trump, duke e quajtur udhëheqësin hungarez një “njeri të madh”.

Vitet e presidencës së Trump sollën një marrëdhënie më të ngushtë midis SHBA-së dhe Hungarisë pasi administratat e mëparshme akuzuan qeverinë e Orban për frenimin e lirive demokratike, duke përfshirë lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

“Si president isha krenar që punova me kryeministrin Orban, meqë ra fjala, një njeri i madh, për të çuar përpara vlerat dhe interesat e dy kombeve tona”, tha Trump. “Ne goditëm emigracionin ilegal, mbrojtëm kufijtë tanë, krijuam vende pune dhe mbrojtëm traditat dhe vlerat tona judeo-kristiane”.

Orban, i cili u rizgjodh për një mandat të katërt radhazi pas një fitoreje në zgjedhjet e vitit 2022, shihet nga shumë në të djathtën amerikane si një model për politikat e tij të ashpra mbi emigracionin dhe mbështetjen për familjet dhe konservatorizmin e krishterë.

Trump u takua me Orban në Florida në mars. Pas takimit të tyre, Orban i dha mbështetjen e tij ish-presidentit dhe tha se vetëm kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë mund të sillte paqen në Ukrainë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat