Të dielën herët në mëngjes protestues pro-palestinezë u larguan nga një kamp i ngritur në Universitetin e Kalifornisë Jugore pas paralajmërimeve që nëse një gjë e tillë nuk ndodhte, do të arrestoheshin.
Përpara këtij zhvillimi, universiteti njoftoi se oficerët e sigurisë së kampusit, të ndihmuar nga Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit, po pastronin zonën dhe se kushdo që e kundërshtonte këtë vendim, do të arrestohej.
“Nëse jeni në qendër të kampusit, ju lutemi largohuni. Ata që nuk largohen mund të arrestohen", shkruhej në njoftimin e universitetit në platformën e mediave sociale X.
Në krye të disa ditëve në kampusin e këtij universiteti në Los Anxhelos pritet të mbahen ceremonitë e diplomimit.
Ndërkohë në Universitetin e Virxhinias, 25 persona u arrestuan të shtunën pasi policia u përlesh me protestuesit pro-palestinezë që refuzuan të hiqnin tendat nga kampusi.
Protestat në universitetet amerikane janë nxitur nga konflikti që filloi më 7 tetor kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë rreth 1200 persona, e marrë peng rreth 250 të tjerë. Prej fillimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit janë vrarë mbi 34 mijë palestinezë, sipas grupit militant që kontrollon rajonin e Gazës.
Studentët protestues kërkojnë shkëputjen e lidhjeve finaciare të universiteteve amerikane me Izraelin, apo me kompanitë që bëjnë biznes me Izraelin, për shkak të luftës në Rripin e Gazës.
Ndonëse disa studentë hebrej u janë bashkuar protestave, të tjerë anëtarë të këtij komuniteti, thonë se protestat janë kthyer në antisemitizëm./VOA