Pengesat e Malit të Zi dhe aleanca e Natos

Bota

Pengesat e Malit të Zi dhe aleanca e Natos

Më: 28 shkurt 2017 Në ora: 17:47
ilustrim

Mali i Zi pret të bëhet anëtar i Natos në takimin e nivelit të lartë të aleancës në muajin Maj, ndërsa pret ratifikimin e marrëveshjes nga senati amerikan. Autoritetet në Podgoricë akuzojnë Moskën për ndërhyrje në vendin e tyre me synimin për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në këtë vend të vogël ballkanik.

Mali i Zi pret ftesën për t’u bërë pjesë e Natos në takimin e aleancës në Maj, por mbeten ende disa pengesa për t’u kapërcyer si dhe kundërshtimi i fortë për t’u futur në NATO nga ish aleatja e tij, Rusia.

I bindur se Senati amerikan dhe tre anëtare të tjera të Natos do ta ratifikojnë marrëveshjen e anëtarësimit, zyrtarët në Podgoricë pretendojnë se Moska ka nisur një komplot dramatik për të ndryshuar kursin e vendit të tyre.

"Mali i Zi pret që Moska të shpjegojë rolin e qytetarëve rusë Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov në përpjekjet për të rrëzuar dhunshëm pushtetin politik në tetor të vitit 2016 dhe më tej," tha ministri i Drejtësisë Zoran Pazin, duke iu referuar një komploti të dyshuar që përfshinte të paktën dy diplomatë rusë për të rrëzuar qeverinë e Podgoricës gjatë zgjedhjeve të tetorit dhe për të ndalur pranimin e vendit në Nato.

Moska i hodhi poshtë akuzat të cilat shtrihen edhe ndaj një pjese të opozitës malazeze.

"Për Malin e Zi, ndërhyrja në punët e brendshme është e papranueshme, jo vetëm përmes deklaratave të pamatura të disa zyrtarëve të Moskës, por edhe përmes financimit të lojtarëve të caktuar politikë me fonde që nuk vijnë përmes kanaleve ligjore por me mënyra të tjera, " thotë ministri Pazin.

Rusia e kundërshton zgjerimin e Natos. Mali i Zi me një vijë bregdetare prej vetëm 200 kilometrash dhe me 650 mijë banorë i bashkohet gjithë Adriatikut –Italisë, Sllovenisë, Kroacisë, Shqipërisë dhe Greqisë – dhe do të jetë nën kontrollin e aleancës.

"Ne i kuptojmë edhe interesat ruse dhe kundërshtimin e tyre ndaj zgjerimit të NATO-s në vende të tjera, por kemi interesat tona kombëtare që nuk janë rezultat i ndonjë vendimi të papritur, por i qëllimeve tona afatgjata”, thotë ministri i jashtëm malazez Srdjan Darmanovic.

Deri së fundmi, Mali i Zi ishte një destinacion popullor për mijëra rusë që kanë blerë prona në bregdet si dhe për biznesmenë dhe manjatë. Megjithë tensionet, që janë shtuar vitet e fundit, Rusia është e pranishme kudo.

Nga tabelat në anë të rrugës, tek shiritat e ngjitura në shtyllat elektrike, reklamat janë përgjithësisht në rusisht ndërsa sheh shumë flamuj rusë në pikën turistike Porto.

Zëdhënësi i saj Danilo Kalezic thotë se “afërsia kulturore” me ortodoktsët malazezë ka sjell dhe vazhdon të sjellë turistë, klientë dhe biznesmen rusë ndërsa vendi miraton rregullore të standarteve të Bashkimit Evropian.

Sot, Mali i Zi është i ndarë thellësisht mes atyre që kanë nostalgji për Rusinë dhe të tjerëve që favorizojnë anëtarësimin në Nato. Por rusët në Mal të Zi nuk janë në një mendje me politikat e ndjekura nga presidenti Vladimir Putin.

Maria Alyokhina, një aktiviste politike e njohur, anëtare e grupit muzikor rus Pussy Riot që u burgos për një interpretim në katedralen e Moskës thotë se ajo synon të tregojë se “në Rusi nuk ekziston vetëm ekipi i Putinit". Tani për tani ajo qëndron në qytetin mesjetar të Kotorit, qendër e një grupi artistësh./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat