​Shtatë është bilanci i të vdekurve nga tërmeti në Tajvan

Bota

​Shtatë është bilanci i të vdekurve nga tërmeti në Tajvan

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 21:52

Të paktën shtatë persona, duke përfshirë edhe një vajzë të vogël, kanë humbur jetën gjatë tërmetit me magnitudë prej 6.4 ballë sipas Rihterit, i cili të shtunën para agimit goditi Tajvanin jugor.

Nga tërmeti i fuqishëm ndodhi shembja e disa ndërtesave, ndaj numri i të vdekurve mund të rritet. Tani për tani nga gërmadhat janë shpëtuar qindra njerëz, ndërsa 422 të tjerë janë lënduar.

Sipas informacioneve të agjencisë tajvaneze të lajmeve, ekipet e shpëtimit kërkojnë të paktën edhe tetë persona, të cilët llogariten të zhdukur. Për ta besohet se janë ngujuar në gërmadhat e ndërtesës 16 katëshe e cila u shemb në qytetin më të goditur tajvanez Tainan.

Më shumë se 250 persona, të cilët jetonin në anën tjetër të ndërtesës, janë shpëtuar falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit. Pesë prej shtatë të vdekurve ishin në ndërtesën e lartpërmendur e cila gjendet në pjesën e qytetit Yongkang.

Në lagjen Guiren, një grua humbi jetën nga shembja e kullës me ujë dhe një burrë në ndërtesën pjesërisht të shkatërruar.

Enti Hidrometeorologjik Qendror i Tajvanit njoftoi se epiqendra e tërmetit ka qenë në thellësi prej 17 kilometrave në qytetin Kaohsiung. Gjatë tërmetit me magnitudë prej 7.6 ballë sipas Rihterit i cili goditi Tajvanin në vitin 1999, më shumë se 2.400 persona humbën jetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat