Putin: rrëzimi i avionit rus, "thikë pas shpine"

Bota

Putin: rrëzimi i avionit rus, "thikë pas shpine"

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 14:19

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Turqinë për "thikë pas shpine ndaj Rusisë" dhe për mbështetje të terrorizmit, pas rrëzimit nga reaktivët turq F-16 të një avioni luftarak rus Su-24 në kufirin me Sirinë.

Ankaraja tha se avioni u rrëzua të martën pasi shkeli hapësirën ajrore turke dhe nuk përfilli 10 paralajmërime gjatë një kohe prej 5 minutash për t’u larguar nga kjo hapësirë. Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu tha se vendi i tij ka të drejtë të veprojë kundër cilitdo që shkel hapësirën ajrore të vendit.

Moska këmbëngul se avioni në asnjë moment nuk u largua nga territori sirian.

Presidenti Putin pranoi se avioni rus u rrëzua nga një avion turk F-16, pas njoftimeve të mëparshme të zyrtarëve rusë se kundër tij ishte qëlluar nga toka. Por ai tha se avioni luftarak rus ndodhej mbi territorin sirian dhe një kilometër larg nga kufirit turk, kur u godit, dhe se ai në asnjë moment nuk përbënte kërcënim për Turqinë.

"Kjo ngjarje e kapërcen kuadrin e luftës së rregullt kundër terrorizmit," - tha zoti Putin në një takim me mbretin e Jordanisë Abdullah në qytetin jugor të Rusisë, Soçi. Humbja e sotme, - tha ai, - ka lidhje me një thikë pas shpine nga ana e bashkëpunëtorëve të terroristëve.”

Ai tha se ngjarja do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet ruso-turke.

Videoja e marrë nga zona ku ndodhi ngjarja tregon dy pilotë duke rënë me parashutë. Më pas një grup kryengritës sirian publikoi një tjetër video, ku sipas tyre dukej njëri nga pilotët që kishte humbur jetën.

Rusia tha se pilotët u hodhën me parashutë por gjendja e tyre ishte e panjohur. NATO-ja pritet të mbajë një takim të ngutshëm për të diskutuar mbi incidentin.

Zyrtarët turq kanë lëshuar paralajmërime të shumta për shkeljen e hapësirës ajrore të vendit të tyre gjatë luftës civile në Siri. Forcat turke rrëzuan një helikopter sirian në vitin 2013, ndërsa muajin e kaluar rrëzuan një mjet fluturues pa pilot që kishte hyrë në territorin e tyre.

Turqia është ankuar në dy raste për shkeljen e hapësirës së saj ajrore nga avionët rusë.

Rusia filloi një fushatë bombardimesh në Siri në muajin shtator. Në tetor ajo arriti një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të cilat drejtojnë koalicionin e vendeve që kryejnë sulme më Siri për mbajtjen e distancës dhe shmangien e përplasjeve në qiellin e Sirisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat