BE, Hungaria dhe refugjatët

Bota

BE, Hungaria dhe refugjatët

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 00:42

Amnesty International ka akuzuar Hungarinë për shkeljen e ligjeve të shumta ndërkombëtare dhe evropiane të të drejtave të njeriut në trajtimin e krizës së refugjatëve. Mijëra emigrantë dhe refugjatë vazhdojnë të kalojnë çdo ditë nëpër Ballkan dhe në Hungari.

Muajin e kaluar më shumë se 50 trena si ky – secili me më shumë se 1000 emigrantë - kanë mbërritur në kufi të Kroacisë me Hungarinë. Një gardh i ri është duke u ndërtuar në anën hungareze të kufirit. Derisa të përfundojë, këta emigrantë janë duke u lejuar të vazhdojnë të kalojnë për të shkuar në Austri.
Gjatë pritjes së homologut të tij kroat në Budapest të mërkurën, János Adër, presidenti i Hungarisë mbrojti trajtimin e krizës së refugjatëve të vendit të tij.

"Ne ramë dakord se kjo krizë është një çështje humanitare, kriminale dhe çështje e sigurisë kombëtare."
Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar - Kitaroviç, mbështeti thirrjen e Hungarisë për kontrolle më të forta kufitare në të gjithë Evropën.

“Ne duhet ta dimë kush kalon kufirin e një vendi dhe përse. Kufijtë duhet të kontrollohen vazhdimisht në mënyrë që kalimet e paligjshme të mos shqetësojnë rendin."
Grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International thotë se Budapesti ka shkalur dy ligjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe legjislacionin e Bashkimit Europian.
"Nga mbyllja e kufirit hungarez me Serbinë, dhe nga futja e procedurave të përshpejtuara për azil në kufi, Hungaria rezulton në refuzimin e të gjithë aplikantëve dhe kthimin e tyre në Serbi, vend që nuk ka mjete të mjaftueshme strehimi për refugjatët. Ne jemi të shqetësuar për faktin se Hungaria po e bën krim kalimin e kufirit duke ngritur gardhin kufitar," thotë Barbara Cernukovska, e Amnesty International.
Amnesty International thotë se policia hungareze përdori forcë të tepruar kundër emigrantëve pasi Hungaria mbylli kufirin e saj Serbinë muajin e kaluar.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se kriza e refugjatëve ka nxjerrë në pah përçarjen e Evropës mbi emigracionin. Duke iu drejtuar Parlamentit Evropian të mërkurën, kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje për unitet:
"Nëse duam t’i zgjidhim këto çështje, Bashkimi Evropian nuk duhet të veprojë i nisur nga ndjenja nacionaliste.”

Ministrat e BE-së ranë dakord të enjten të përshpejtojnë dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar.
Ata shpresojnë të frenojnë valën e mijëra emigrantëve ekonomikë që arrijnë së bashku me refugjatët që ikin nga lufta dhe persekutimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat