175 km gardh me gjemba kundër klandestinëve

Bota

175 km gardh me gjemba kundër klandestinëve

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 18:49

Një gardh i gjatë 175 kilometra i vendosur në kufi me Serbinë është barriera më e re e krijuar nga Hungaria, për të ndalur kalimin e paligjshëm të emigrantëve të kufirit të saj. Ishte lajmëruar se do të ishte gati më 31 gusht, por u mbyll më 29, dy ditë më parë, teksa autoritetet vendase synojnë të parandalojnë fluksin e madh të emigrantëve nga Serbia, që tentojnë Evropën Perëndimore përmes Hungarisë.

Ndërkohë, një gardh i dytë, katër metra i lartë, është duke u ndërtuar nga ushtria, për të përforcuar atë që Ministria e Brendshme hungareze e quajti “mbrojtje ndaj shkelësve të paligjshëm të kufirit”. Struktura në fjalë duhet të kompletohet deri në fund të muajit tetor.

Por masat e marra për parandalimin e emigrantëve, nuk mbarojnë me kaq, pasi ekzekutivi hungarez po përgatit një projektligj, që me të gjitha gjasat do të marrë dritën jeshile të Parlamentit këto ditë, i cili parashikon dënime të ashpra për këdo që kalon kufirin.

Shkelja e paligjshme e kufirit pritet të ndëshkohet me 3 vite burg, ndërsa dëmtimi i barrierës mbrojtëse bart në vetvete një dënim prej 5 vitesh heqje lirie. Nisma në fjalë parashikon edhe një zonë internimi për refugjatët në kufi. Forcat e policisë kufitare do të shtohen gjithashtu në numër, nga 1000 që janë aktualisht, në 3000 duke nisur nga 1 shtatori.

Vetëm këtë javë, në Hungari kanë kaluar nga Serbia rreth 10 mijë emigrantë. Disa prej tyre të strehuar në Roske të Hungarisë janë përpjekur të ikin nga kampet. Shumë prej tyre kanë kapërcyer gardhet me tela me gjemba e të tjerë janë parë në rrugët dhe zonën përreth në përpjekje për t’u larguar. Por një pjesë e mirë janë kapur nga policia dhe janë rikthyer në çadrat dhe ambientet e tjera të ngritura për strehimin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat