Një anëtar i delegacionit të qeverisë afgane në bisedimet e paqes me përfaqësuesit e talebanëve, ka konfirmuar se raundi i dytë i bisedimeve do të mbahet në Pakistan më 31 korrik.
Din Mohammad, lider i një fisi Pashtun në lindje të Afganistanit njëherësh anëtar në Këshillin e Lartë të Paqes të Afganistanit, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar datën e bisedimeve.
Më herët gjatë këtij muaji, përmes një deklarate për media lideri shpirtëror i talebanëve të Afganistanit, ka pranuar se bisedimet e paqes me qeverinë afgane janë “legjitime”, duke theksuar se qëllimi i këtij procesi është që “t’i jepet fund okupimit” nga forcat e huaja.
Por sot zyrtarë të lartë të qeverisë afgane kanë konfiormuar se lideri shpirtëror i talebanëve Mullah Omar ka vdekur në vitin 2013.
Nuk ka qenë menjëherë e qartë nëse lajmi për vdekjen e Mullah Omarit do të shtyjë takimin e paraparë për 31 korrik.
Raundi i parë i bisedimeve është mbajtur më 7 korrik në Islamabad, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe të Kinës.