Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre me ligjin e ri rus, i cili ndalon, siç thuhet, organizatat e padëshirueshme joqeveritare.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar ligjin të shtunën, duke u dhënë të drejtë prokurorëve të shtetit që të fusin në listën e zezë organizatat, të cilat “paraqesin kërcënim për kapacitetet mbrojtëse të Rusisë, sigurinë, rendin publik ose shëndetin publik”.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, ka thënë se kjo masë “do të kufizojë më tej punën e shoqërisë civile në Rusi”.
Harf po ashtu ka thënë se ligji është një tjetër shembull për politikat shtypëse të Kremlinit ndaj zërave të pavarur.
Legjislacioni, i cili është miratuar nga të dyja dhomat e Parlamentit të Rusisë këtë javë, po ashtu parasheh gjoba ose dënime me burg për individët që punojnë për “organizatat e tilla”.