Tragjedi në detin Mesdhe, mbi 800 të vdekur e të zhdukur

Bota

Tragjedi në detin Mesdhe, mbi 800 të vdekur e të zhdukur

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 17:51

Tjetër tragjedi në Mesdhe. Dy anije, njëra me të paktën 250 persona në bord dhe tjetra me 500 persona, janë fundosur në gjirin e Libisë. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi për shtyp i Marinës në Tripoli, Ayub Qassem.

Ai ka bërë me dije se përmbysja e parë ka ndodhur në afërsi të Tajoura, në lindje të shtetit. “Ka aq shumë kufoma saqë duket sikur lundrojnë në det”, tha ai, ndërsa shtoi se roja bregdetare e Libisë ka shumë pak mjete për të ndërhyrë. Pjesa më e madhe e emigrantëve ishin afrikanë. Nga 250 persona në bord, vetëm 26 kanë mundur të shpëtojnë.

Sipas dëshmisë së dy të arratisurve palestinezë të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një anije ngarkimi italiane, janë të paktën 500 emigrantë të cilët kanë humbur jetën në aksidentin e dytë.

Dy anije të rojeve bregdetare të Crotone kanë mundur të shpëtojnë 111 emigrantë, mes së cilëve meshkuj, femra dhe 21 fëmijë, dy prej të cilëve të sapolindur. Alarmi u lëshua përmes një telefonate të bërë me një telefon satelitor, i cili njoftonte për një anije me emigrantë, e cila ndodhej në rrezik mbytje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat