“BE të rishikojë qëndrimin ndaj Rusisë”

Bota

“BE të rishikojë qëndrimin ndaj Rusisë”

Më: 19 korrik 2014 Në ora: 19:52

Kryeministri britanik, David Cameron dhe homologu i tij holandez Mark Rutte i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të rishqyrtojë qëndrimin e tij ndaj Rusisë, pas tragjedisë ajrore.

Downing Street deklaroi përmes një njoftimi për shtyp se, ka gjasa në rritje që avioni të jetë qëlluar nga një raketë tokë-ajër në afërsi të lokalitetit Torez, një zonë në lindje të Ukrainës e kontrolluar nga separatistët pro-rusë.

Sipas njoftimit, kryeministri Cameron zhvilloi edhe një bisedë telefonike me presidentin amerikan Barack Obama, me të cilin ra dakord për zhvillimin sa më parë të një hetimi të pavarur.

Ata diskutuan gjithashtu mundësinë e sanksioneve të tjera ndaj Moskës, vijon njoftimi. Ndërkohë, komiteti qeveritar i emergjencave, Cobra, u mblodh gjatë ditës së shtunë në Londër.

Ndërsa sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond thirri ambasadorin rus në Britanik për të diskutuar përgjigjen e vendit të tij ndaj tragjedisë.

Zoti Hammond tha se qeveria ruse nuk po influencon tek rebelët në mënyrë që këta të fundit të lejojnë hetuesit e OSBE-së që t’i afrohen vendit të ngjarjes.

“Kjo është mënyra e vetme se si ne mund të arrijmë tek e vërteta dhe të nxjerrim përgjegjësit para drejtësisë. E gjithë bota i ka sytë tek Rusia për të parë nëse do t’i zbatojë detyrimet e veta në orët e ardhshme”, deklaroi Hammond.

Shifrat e fundit të publikuara nga Malaysia Airlines tregojnë se në avionin po udhëtonin 189 shtetas holandezë, 27 australianë, 44 malajzianë, përfshirë 15 anëtarët e ekuipazhit, 10 britanikë, si dhe disa persona të kombësive të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat