Snowden, kërkesë për azil të përhershëm

Bota

Snowden, kërkesë për azil të përhershëm

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 12:21

Ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, i ka kërkuar Moskës rinovimin e të drejtës për azil në Rusi, bëri të ditur avokati i tij gjatë së mërkurës.

Rusia i dha Snowden-it një vizë 1-vjeçare në Gusht të vitit 2013, pavarësisht kërkesës së SHBA-ve që Moska ta deportonte atë në atdhe për t’u përballur me akuzat kriminale, përfshi këtu spiunazhin, për zbulimin e programeve sekrete të survejimit amerikan të internetit dhe telefonatave.

“Kemi plotësuar procedurat për të marrë azil të përhershëm. Afati i fundit është më 31 Korrik”, është cituar të ketë thënë avokati i Snowden, Anatoly Kucherena, nga agjencia e lajmeve “Interfax”. “Në mënyrë korresponduese me to, kemi dorëzuar edhe dokumentet për të shtyrë qëndrimin e tij në territorin e Rusisë”.

Sic bën të ditur Reuters, Kucherena nuk mund të kontaktohet për konfirmim të pavarur të këtij njoftimi, ndërsa as Shërbimi për Emigracionin Federal në Rusi nuk ka dhënë ndonjë koment.

Një tjetër avokat i Snowden, vendndodhja e të cilit mbetet sekrete, tha gjatë muajit të kaluar se priste nga Rusia të shtynte të drejtën për azil ndaj amerikanit përtej Korrikut.

Refuzimi i presidentit Vladimir Putin për të kthyer Snowden-in në SHBA, është një nga arsyet e irritimit të marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit, që është përforcuar më pas nga konfliktet në Siri dhe Ukrainë, duke qenë në kundërshtime edhe mbi të drejtat e njeriut dhe çështje të Mbrojtjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat