Ukraina, luftanije amerikane në Detin e Zi

Bota

Ukraina, luftanije amerikane në Detin e Zi

Më: 7 prill 2014 Në ora: 22:24

Një luftanije amerikane është nisur drejt Detit të Zi. Lajmi është bërë i ditur nga Pentagoni, që shpjegon se vendimi është marrë për të siguruar aleatët e shqetësuar në Europën Lindore, pas aneksimit të Krimesë nga Moska dhe pas trazirave të prorusëve në Donetsk, rajonin lindor të Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi Rusinë të mos ndërhyjë në Ukrainën lindore, duke kërcënuar me sanksione të mëtejshme.

Zëdhënësi i saj, Jay Carney, këmbëngul se ka prova të forta, që disa protestues pro-rusë, pjesëmarrës në mësymjen e ndërtesave qeveritare në disa pjesë të rajonit, janë të paguar. Nëse Moska ndërmerr veprime në lindjen e Ukrainës, atëherë do të gjendemi përballë një përshkallëzimi shumë serioz, deklaroi Carney.

I pari, që akuzoi Rusinë për mbështetjen e demonstratave separatiste në vend, ishte kryeministri i përkohshëm, Arseniy Yatsenyuk, i cili i përshkroi demonstratat si pjesë të një plani për destabilizimin e situatës dhe për të lejuar trupat e “huaja” të kalojnë kufirin, në mënyrë që të pushtojnë territorin ukrainas.

Zyrtarët në Kiev pretendojnë se trupat e Moskës vazhdojnë të jenë të stacionuara pranë kufirit, në një distancë që nuk kalon 30 kilometrat.

“Neë York Times” raporton se tubuesit pro-Moskës në Donetsk i kanë kërkuar Vladimir Putin-it të dërgojë ushtarët e tij në rajon, si forcë paqeruajtëse, teksa pretendojnë mbajtjen e një referendumi për ndarjen nga Ukraina dhe bashkimin me Rusinë.

Në vazhdën e zhvillimeve, që tregojnë se Donetsk-u me të gjitha gjasat do të tentojë të ecë në gjurmët e Krimesë, pjesëtarët e Këshillit rajonal të qytetit miratuan legjislacionin e quajtur “akt i sovranitetit të Republikës Popullore të Donetsk-ut” dhe, në të njëjtën seancë, aprovuan dhe vendimin për mbajtjen e një referendumi jo më larg se data 11 Maj.

Ministria e Jashtme ruse reagoi përmes një deklarate ndaj akuzave të Kievit, se është Moska ajo që po nxit trazirat në lindje të vendit. “Boll e keni kthyer kokën nga Rusia, duke e fajësuar atë për çdo telash, në të cilin kalon Ukraina sot”, thuhet në deklaratën, që vazhdon të përsërisë nga ana tjetër se Kievi duhet t’i transferojë më shumë pushtet rajoneve të ndryshme të tij. “Për të fituar një stabilitet afatgjatë, vendi duhet të transformohet në një Shtet Federal”, lexohej më tej në deklaratën e rusëve.

*** Tensionimi i situatës në lindje të Ukrainës ka shkaktuar shqetësim edhe në radhët e vendeve europiane. Forcat besnike të Moskës kanë filluar propagandën në disa qytete dhe pretendojnë një referendum, sipas modelit të Krimesë.

Pikën kulmore, këto zhvillime e arritën me deklarimin e “Republikes Popullore” nga protestuesit prorusë, që kanë marrë nën kontroll ndërtesën e administratës rajonale të Donetsk-ut.

Bashkimi Europian po jep shenjat e para të nervozizmit. Sipas presidentit çek, Milos Zeman, në rast se Rusia do të pushtonte Ukrainën Lindore, atëherë ajo do të kalonte “vijën e kuqe”. “Në një situate të tillë, unë do të angazhohesha jo vetëm për sanksione, mundësisht më të ashprat, por edhe për gatishmërinë ushtarake të Aleancës atlantikoveriore, si dhe ndërhyrjen e trupave të NATO-s në territorin ukrainas”, u shpreh politikani majtist çek.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, deklaroi se Krimeja ka dëmtuar marrëdhëniet me Rusinë në aspektin afatgjatë. “Me aneksimin e gadishullit, Putin shkatërroi në masë të madhe besimin”, tha von der Leyen për gazetën “Bild”, megjithëse e hodhi poshtë si të pabazë, frikën se një gjë e tillë mund të çojë në konflikt ushtarak me Rusinë.

Duke komentuar mbi Donetsk-un, ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt shkroi në Tëitter se, të tilla lëvizje nuk janë veçse dëshmi e faktit, që huliganët pro-rusë po përpiqen të shkaktojnë trazira në lindje të Ukrainës. Është një makineri propagande, e mbështetur fuqimisht nga Kremlini, arsyeton ai.

Përveç Donetksk-ut, mbështetësit e Moskës u përleshën me forcat policore e pushtuan edhe administratën e Kharkovit. Në Lugansk, pranë kufirit me Rusinë, demonstruesit pushtuan përkohësisht përfaqësinë e Shërbimit të Fshehtë, SBU.

Në Odesa, në brigjet e Detit të Zi, mijëra vetë tubuan për federalizimin e mëtejshëm të ish-Republikës Sovjetike dhe shpalljen e rusishtes gjuhë zyrtare. Protesta pati edhe në qytete të tjera.

Aktivistët pro-rusë pretendojnë një referendum për shkëputje nga Ukraina, sipas modelit të panjohur ndërkombëtarisht të Krimesë. Kievi zyrtar është i bindur se pas të gjithë këtyre lëvizjeve qëndron Kremlini, i cili e ka përsëritur vazhdimisht se do të mbrojë qytetarët e vet në shtetin fqinj, po të jetë nevoja edhe ushtarakisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat