Veruschka, një nga supermodelet e para në botë dhe një prej fytyrave më ikonike të modës së viteve '60 dhe '70, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare. Familja e saj e ka konfirmuar vdekjen për gazetën gjermane Bild, e cila raporton se ajo u nda nga jeta të martën në shtëpinë e saj në Berlin, e rrethuar nga miqtë dhe familjarët.
Emri i saj i vërtetë ishte Vera von Lehndorff. Lindi në vitin 1939 në Königsberg, atëherë pjesë e Prusisë Lindore, dhe u rrit në territorin që sot është Poloni.
Pas luftës familja u vendos në Hamburg, ku ajo studioi art, para se të shkonte në Firence, ku e vuri re fotografi italian Ugo Mulas.
Gjatësia, që në rini e kishte bërë të ndihej e papërshtatshme, u shndërrua në avantazhin e saj. Karriera e saj u ngrit shpejt dhe ajo punoi me emra si Valentino, Yves Saint Laurent dhe Karl Lagerfeld, duke u shfaqur në 13 kopertina të Vogue-ut.
Fotografi Richard Avedon e ka cilësuar "gruaja më e bukur në botë", sipas Hollywood Reporter.
Në kinema, ajo u pa në një paraqitje të shkurtër në filmin kult të Michelangelo Antonionit Blow-Up (1966), ndërsa më vonë u shfaq edhe te Casino Royale (2006), në rolin e Gräfin von Wallenstein.
Pasi u largua nga modelimi në vitin 1975, ajo iu kthye artit. Bashkëpunoi me skulptorin dhe piktorin gjerman Holger Trülzsch në një seri autoportretesh avangarde, ku figura e saj e pikturuar shkrihej në pyje dhe në fasada ndërtesash. Autobiografia e saj, Veruschka – Mein Leben, u botua në vitin 2011.
Ish-partneri dhe fotografi Franco Rubartelli i ka bërë homazh në Instagram, duke shkruar se, pas më shumë se pesëdhjetë vitesh pa lidhje, ishte ribashkuar me të vetëm kohët e fundit.
Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik. Vogue ka udhëhequr homazhet, duke e cilësuar si një nga "artistet e mëdha të performancës" së modës.