Përgatiten në Rumani nën drejtimin e amerikanit

Basketboll

Përgatiten në Rumani nën drejtimin e amerikanit

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 13:49
Pamje nga kampi

Të hënën në Mangalia të Rumanisë ka filluar Kampi i FIBA Europe, i cili organizohet në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjenerave të Reja. Ky projekt udhëhiqet nga Federata e Basketbollit e Turqisë, ndërsa implementohet nga Rumania, Kosova, Bullgaria dhe Maqedonia.

Në këtë Kamp Ndërkombëtar janë duke marr pjesë gjithsej 120 fëmijë (djem) të moshës deri në 14 vjeç, kurse Kampi udhëhiqet nga trajneri amerikan, Chris Dial, të cilit i asistojnë edhe 30 trajnerë të tjerë nga shtetet e lartpërmendura, ku 6 prej tyre janë nga Kosova.

Qëllimi i organizimit të këtij Kampi është që tu jepet rasti fëmijëve potencial që ti masin forcat me moshatarët e tyre të shteteve të tjera pjesëmarrëse. Në të njëjtën kohë ideja është që fëmijët të socializohen, por edhe të edukohen në aspektin sportiv.

Ndërkaq për trajnerët ky është një rast i mirë që të jenë pjesë e një programi të FIBA Europe, por edhe që e kanë rastin ti shkëmbejnë përvojat e tyre me kolegët e shteteve të tjera.

Ky Kamp i FIBA Europe organizohet në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja, në të cilin është përfshirë edhe Kosova, si vend potencial për të prodhuar basketbollistë cilësor në të ardhmen e afërt. Pas këtij Kampi në kuadër të këtij projekti do të pasojnë edhe turne dhe kampe të tjera gjatë këtij viti, por edhe vitin e ardhshëm. Kampi Ndërkombëtar në Mangalia të Rumanisë ka filluar sot dhe do të përfundojë të premten.

"Është hera e parë që FIBA Europe e ka përkrahur një projekt të tillë. Pra ky është një test, i cili ka filluar me disa prej shteteve të Ballkanit dhe nëse tregohet i suksesshëm do të vazhdoj edhe me shtetet e tjera në Evropë. E rëndësishme është që këtyre fëmijëve u është dhënë rasti të tregojnë veten, por edhe ti matin forcat me moshatarët e tyre të shteteve të tjera. Fëmijët po ashtu do të socializohen me njëri-tjetrin, do të bashkëpunojnë si dhe do të mësojnë për kulturat dhe traditat e njëri-tjetrit.

Pra në njëfarë mënyre ky është një edukim sportiv, i të gjithë neve që jemi pjesë e këtij Kampi. Jam i bindur se do të jenë pesë ditë shumë të frytshme", ka deklaruar Chris Dial, koordinator i projektit.

Duhet theksuar në Kamp po stërvitet nga dy herë më ditë (nga dy orë), ndërsa fëmijët janë të ndarë në grupe që udhëhiqen nga 2-3 trajnerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat