Bucks bien në shtesë, Curry i jep fitoren Golden State

Basketboll

Bucks bien në shtesë, Curry i jep fitoren Golden State

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 13:58
Pamje nga ndeshja

Milwuakee Bucks humbi në kohën shtesë në transfertën e Chicago Bulls. Ndeshja e luajtur në “United Center” ishte një dramë e vërtetë, teksa rezultati final u mbyll me fitoren e vendasve 120-113.

Sfida nisi më mirë për Bulls-at, me periodën e parë që u mbyll me avantazhin e dy pikëve, por në të dytën Bucks ishin më të freskët mbi parket dhe shkuan në dhomat e zhveshjes në avantazhin e 6 pikëve, (49-55). Në fraksionin tjetër të përballjes Bulls-at ishin më kërkues dhe arritën të fitonin terren ndaj rivalëve. Perioda e tretë dhe e katërt u mbyll me një barazim të pabesueshëm 106-106.

Pa fitues, por me shumë emocione, skuadrat u drejtuan në kohën shtesë për të përcaktuar fituesin e mbrëmjes. Në minutat më kulminante të takimit, Chicago ishte më superiorë dhe e mbylli ndeshjen më një fitore shumë të rëndësishme.

Për vendasit, më i miri në parket ishte i përhershmi Nikola Vucevic me 29 pikë dhe 10 topa në tabelë, ndërsa për Bucks nuk mjaftoi Giannis Antetokoumpo, autor i 26 pikëve. Me këtë sukses, Chicago Bulls u rikthye te fitorja pas shumë humbjeve radhazi. Nga ana tjetër Bucks pësoi disfatën që vjen pas 3 fitoreve.

Në duelin tjetër të mbrëmjes në elitën e basketbollit amerikan, Golden State triumfoi ndaj Los Angeles Clippers me rezultatin 120-114.

Që në fillim të sfidës, Warriors morën kryesimin, ku në pushimin e përballjes rezultati shënonte 61-48 për vendasit. Në të dytën Clippers fituan periodën e tretë dhe atë të katërt, por ishte e pamjaftueshme për të rivalizuar Golden State.

Stephen Curry dhe Klay Thompson ishin protagonistët e mbrëmjes me 48 pikë në total për Warriors, ndërsa për Clippers, Kawhi Leonard realizoi 23 pikë. Golden State ruan vendin e 10-të dhe të fundit të “Play-Off-it”, ku është dukshëm larg kryesuesëve të Minnesotas dhe kampionëve të Denver Nuggets.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat