FSHB-ja sqaron opinionin publik

Basketboll

FSHB-ja sqaron opinionin publik

Më: 8 korrik 2023 Në ora: 16:06
Pamje nga një ndeshje

Ndryshimet e bëra në Rregulloren e Aktivitetet Kombëtare të Basketbollit, kanë bërë që FSHB-ja të dalë me një sqarim për opinionin publik. Në postimin e saj, Federata Shqiptare e Basketbollit shkruan:

“Federata Shqiptare e Basketbollit sqaron si më poshtë opinionin publik mbi 3 (tre) pikat më kryesore në ndryshimet e bëra të Rregullores së Aktiviteteve Kombëtare të Basketbollit, si dhe arsyetimet përkatëse:

Realizimi i kampionatit kombëtar të rritur/a 2023-24 në një kategori me të gjithë ekipet pjesëmarrëse.

Sqarim: Ekipet pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë Meshkuj në edicionin 2022-23 ishin vetëm 4 (katër) të cilat zhvilluan 12 ndeshje në total, një numër ndeshjesh i pamjaftueshëm për një ekip profesionist ku duhet të theksohet se aktivizoheshin në formacion (ndër 5 lojtarët në fushë) rreth 75% lojtarë shqiptarë. Ndërsa në Superligën Meshkuj, ku ndër lojtarët e formacionit përafërsisht aktivizoheshin 60% lojtarë të huaj, secili ekip realizoi 20 ndeshje.

Rritja e tarifave për regjistrim te lojtarëve të huaj, si dhe kufizimi i tyre deri në tre lojtarë në fushë gjatë një ndeshje.

Sqarim: Shtimi i lojtareve të huaj në kampionatet kombëtare, sidomos në Superligën Meshkuj dhe ekipet kryesuese të Kategorisë së Parë Femra, ka zbehur nismën e përbashkët te FSHB-së dhe shoqatave anëtare të përfaqësimit në kampionatet europiane më së paku 5 ekipe kombëtare të moshave çdo vit, duke nisur nga viti 2015 me ekipin U16 djem dhe duke vazhduar ne 2016 e deri sot (2023) me ekipe vajza e djem. Te paktën 36 lojtarë djem dhe 24 lojtare femra aktivizohen gjatë periudhës së verës në edicionet europiane të organizuara nga FIBA.

FSHB e krijon këtë mundësi në bashkëpunim me shoqatat anëtare, me sforco ekonomike dhe duke pasur mirëkuptimin e pjesëmarrësve vetëm e vetëm që të përfaqësojnë Shqipërinë! Me buxhet të ditur dhe pa përkrahje solide e te vazhdueshme, ekipet kombëtare të moshave dhe te rritur/a, çdo vit janë prezent në arenën ndërkombëtare. Lojtarët e moshave pësojnë një rritje cilësore në këto pjesëmarrje dhe presin fillimin e kampionateve kombëtare për të vazhduar rritjen e tyre… por përplasen me një mur! Vit pas viti, ekipet e rritur/a janë drejtuar drejt lojtarëve të huaj si zgjidhje e shpejtë për të përforcuar ekipet. Interesimi i tyre për të rritur profesionalisht lojtarët vendorë sa vjen dhe zbehet. Pasojat për këtë shihen në kulminacionin sportiv të basketbollit, ekipi kombëtar…

Ekipi U20 vajza nuk mund të organizohej këtë vit (2023) për arsye te kontingjentit të ulët të lojtarëve aktivë në kampionatet kombëtare me vitlindje 2003-04.

FSHB nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjëherë qasje negative ndaj lojtarëve të huaj, por duke pasur si detyrë zhvillimin e basketbollit në Shqipëri, gjë e cila ka të bëjë patjetër dhe me nivelin e lojës, por më thelbësisht me përhapjen e basketbollit në Shqipëri, rritjen profesionale të lojtarëve dhe trajnerëve shqiptarë me qellim përfaqësimin sa më dinjitoz në majën e piramidës sportive, ekipin kombëtar.

Rritja e tarifave të transferimit të lojtarëve vendas.

Sqarim: Tarifat e transferimit të lojtarëve vendorë përfshijnë 40% të shumës e cila i alokohet shoqatës nga e cila transferohet lojtari.

Shoqatat anëtare të FSHB-së kanë të specifikuar në statutin e tyre zhvillimin dhe promovimin e basketbollit në Shqipëri. Është e patolerueshme që ato të sigurojnë buxhete të konsiderueshme për pjesëmarrje me ekip te rritur/a dhe për më tepër edhe fonde për lojtarë të huaj, në një kohë kur nuk arrijnë të sjellin në parketin e lojës të paktën 1 (një) lojtar shqiptar çdo vit…

Kjo është një ndasi, jo për të gjitha shoqatat, por duhet kuptuar mire se secila shoqatë anëtare e FSHB-së ka për detyrë të zhvillojë lojtarë profesionistë dhe t’i përkrahë ato në kampionatet kombëtare duke realizuar programet e tyre lidhur me këtë detyre. Ne rast të kundërt, nëse një shoqatë ka synime të tjera, mbështetur dhe nga buxheti apo interesa të tyre, atëherë së paku duhet të mbështesë shoqatën anëtare së cilës i merr lojtarin duke i kthyer mbrapshtë një shumë minimale.

Ne thelb, transferimet janë një moment i shkëputjes cilësore të lojatareve, çka nënkupton se për të transferuar një lojtar do të duhet të vlerësosh këtë veprim në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të sigurosh vazhdimësinë e zhvillimit të tij profesional.

Në përfundim, theksojmë se Federata Shqiptare e Basketbollit është përfaqësim i interesave të shoqatave të saj anëtare të cilat janë të pasqyruara në statutin e tyre dhe të saj, zhvillimi dhe promovimi i basketbollit në Shqipëri.

Për më tepër, si gjithmonë, secila shoqatë anëtare ka lirinë për të shprehur propozimet e tyre në funksion të zhvillimit të basketbollit në Shqipëri, në mënyre zyrtare, në çdo moment”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat