Besëlidhja një fitore larg titullit dhe historisë

Basketboll

Besëlidhja një fitore larg titullit dhe historisë

Më: 23 prill 2023 Në ora: 14:12
Pamje nga një ndeshje

Besëlidhja në basketboll për meshkuj fitoi mbrëmjen e sotme 80-73 ndaj Tiranës në finalen e dytë play off, luajtur në “Feti Borova”.

Një ndeshje emocionuese dhe me rivalitet nga ana e të dy skuadrave, që deri në fund dueluan për fitoren.

Falë këtij suksesi, lezhjanët udhëheqin 2-0 serinë e takimeve dhe janë një fitore larg titullit dhe historisë.

Ndeshja në përgjithësi u dominua nga Besëlidhja, që ishte gjatë gjithë kohës në avantazh, por pa krijuar një diferencë të madhe.

Tirana doli në epërsi vetëm në dy raste dhe atëherë kur pati shansin të fitojë, në mesin e periodës së katërt, gaboi dhe nuk arriti të korrë një fitore që do ta rihapte garën për titull.

Ashtu si në sfidën e parë, gjuajtjet e sakta nga distanca të ekipit lezhjan vendosën fitoren (11 të tilla ndaj 5 të Tiranës).

Fundi i takimit pati edhe tension, kur një fanellë e grisur e një basketbollisti të Tiranës përfundoi në kokën e gjyqtarit të ndeshjes, nga ana e shefes së klubit bardheblu, që protestoi për gjyqtarët. Në fakt, shpesh bardheblutë patën ankesa për gjykimin dhe në fundin e ndeshjes nuk munguan shishet në fushë në adresë të gjyqtarëve.

Në përgjithësi, loja ishte korrekte mes basketbollistëve, me disa fërkime të vogla, deri diku të pranueshme edhe pse u dhanë disa teknike.

Hamati me 36 pikë e 19 rebound ishte shënuesi më i mirë për Tiranën, por që s’mjaftuan për të fituar.

Për Besëlidhjen u dalluan Beqo e Bernard me nga 21 pikë secili si dhe Morris me 17 pikë.

Play off-Meshkuj

Besëlidhja – Tirana, 93-77

Tirana – Besëlidhja, 73-80

Besëlidhja – Tirana, 26 prill

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat