Tirana shkon me tifozë drejt Durrësit

Basketboll

Tirana shkon me tifozë drejt Durrësit

Më: 8 prill 2023 Në ora: 13:56
Pamje nga një ndeshje

Superliga e basketbollit të meshkujve tashmë është futur në pjesën finale të sezonit, në të cilën do të vendosen fatet e titullit kampion me takimet “play off”, por edhe të mbijetesës mesfidat “play out”.

Apolonia dhe Partizani do të luajnë sot në orën 18:00 në Vlorë ndeshjen e parë për një vend në elitë në sezonin e ardhshëm. Fierakët, siç dihet, u renditën në vend të parafundit në Superligë, ndërsa 33-herë kampionët e Shqipërisë e mbyllën të dytit në Kategorinë e Parë. Më tej, të dielën do të jetë radha për gjysmëfinalet e para të “play off”-it.

Dy takime elektrizuese, teksa fillimisht në orën 18:00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës do të luhet akti i parë ndërmjet Teutës dhe Tiranës.

Bardheblutë pritet të kenë edhe mbështetjen e tifozëve për këtë takim të rëndësishëm, teksa klubi ka vënë në dispozicion të tifozëve autobusë falas, me nisjen që do të bëhet nga salla “Farie Hoti”.

Ndeshja tjetër e ditës së nesërme do të jetë mes Besëlidhjes dhe Kamzës në orën 19:00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat