Skuadrat ‘ndezin motorët’ për edicionin e ri, që pritet të jetë shumë interesant

Basketboll

Skuadrat ‘ndezin motorët’ për edicionin e ri, që pritet të jetë shumë interesant

Më: 1 shtator 2022 Në ora: 15:47
Skuadrat ‘ndezin motorët’ për edicionin e ri, që pritet të jetë shumë interesant

Edicioni i ri në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll po pritet me interesim të madh. Ky edicion do të fillojë më herët për shkak të pjesëmarrjes së skuadrave kosovare në garat ndërkombëtare.

Kjo ka bërë që të gjitha skuadrat e elitës të fillojnë përgatitjet në fillim të muajit gusht dhe janë gati për edicionin e ri.

Të gjitha skuadrat janë duke zhvilluar ndeshje miqësore, ndërsa garat e elitës do të fillojnë në fundjavën e ardhshme (10-11 shtator).

Çdo xhiro do të ketë derbi, kurse këtë edicion Vëllaznimi është inkuadruar në elitë, në vend të Dritës dhe interesimi në Gjakovë është i madh për basketboll, ashtu siç është edhe në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Therandë dhe Rahovec.

Golden Eagle Ylli si kampion do të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe nëse dështon në këtë garë, do të jetë në grupet e FIBA Europe Cup. Në garën e fundit, në kualifikime do të garojnë Trepça dhe Sigal Prishtina. Mitrovicasit pikërisht do të jenë mikpritës të grupit kualifikues më 27-30 shtator, kurse bardhekaltrit nëse nuk arrijnë të jenë në grupet e FIBA Europe Cup, do të garojnë në Ligën ENBL, për herë të parë në këtë garë. Po ashtu skuadrat kanë shprehur interesim edhe për Ligën Ballkanike.

Transferimet gjatë afatit kalimtar ‘kanë ndezur’ edhe më shumë rivalitetin në basketbollin e Kosovës.

Dardan Berisha te Sigal Prishtina, Rodney Purvis dhe Arti Hajdari te Peja, Erjon Kastrati e Mikaile Tmusiq te Trepça, Malcolm Armstead te Golden Eagle Ylli, Meriton Ismaili te Ponte Prizreni dhe Fisnik Rugova e Altin Morina te Bashkimi, si dhe Vëllaznimi e Rahoveci me transferime vendore e të huaj, kanë bërë që të rritet interesimi për edicionin e ri, ndërsa shikuesit po e presim me padurim një super edicion dhe një super garë në elitë..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat